Federata Shqiptare e Futbollit ka shtruar mbrëmjen e djeshme në një restorant të kryeqytetit një darkë për kombëtaren e futbollit të femrave që arriti të kualifikohej për në raundin eliminator të Kupës së Botës 2019, pasi mposhti Greqinë me rezultatin 2-1, falë një goli të realizuar në minutën e 90 nga Fortuna Velaj.

Përfaqësuesi më i lartë i Federatës që drejtoi këtë pritje në nder të heroinave kuqezi, zv. presidenti Lutfi Nuri, mbajti një fjalë të shkurtër përshëndetëse, ku pa asnjë qëllim të keq përdori një shprehje që tashmë në Shqipëri e ka humbur kuptimin e saj të parë pas një ngjarjeje në politikë.“Ju uroj suksese në jetë”, iu drejtua Nuri lojtareve të kombëtares, por në kuptimin e mirë të shprehjes. Darka kaloi mes një atmosfere shumë pozitive teksa të gjithë festuan suksesin e arritur me shumë meritë falë një pune mjaft serioze.