Sezoni 2016-2017 në Kategorinë Superiore do të nisë më 7 Shtator. Ky është vendimi i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit, pas mbledhjes së të mërkurës.

Në një vit të mbushur me aktivitete, duke nisur nga Kampionati Europian, për të vazhduar me Kupën e Amerikës apo edhe Olimpiadën Rio 2016, edhe FSHF ndoqi trendin e federatave të tjera në kontinent, që për shkak të angazhimeve të shumta të lojtarëve të shtynte nisjen e kampionateve. Kjo ndodhi edhe në Shqipëri, ku ndryshe nga edicioni i kaluar, që nisi në fund të Gushtit, kampionati i 78-të Kombëtar do të startojë afro 10 ditë më mbrapa. Vendimi i Ekzekutivit të FSHF-së lidhet edhe me mungesën e aktiviteteve ndërkombëtare në fund të sezonit. Pas përcaktimit të datës 7 Shtator për nisjen e Kategorisë Superiore, tashmë mbetet hedhja e shortit, për kampionatin me 10 skuadra dhe katër faza, për një total prej 36 javësh. Sezoni futbollistik në Shqipëri do të nisë zyrtarisht më 24 Gusht, me finalen e Superkupës së Shqipërisë, ndërmjet Skënderbeut dhe Kukësit, që do të inaugurojë edhe stadiumin e ri në Shkodër. Në mbledhjen e zhvilluar, Ekzekutivi i federatës miratoi skemën e Kupës së Shqipërisë, si edhe strukturën dhe datat për kampionatet e Kategorisë së Parë dhe të Dytë. Për këto nivele struktura e re parashikon që në fazën e tretë skuadrat të ndahen në dy grupe, ku ekipet e para do të luftojë për t’u ngjitur një kategori më lart, ndërsa grupimi i dytë për të përcaktuar skuadrat që zbresin nga kategoria. Një ndryshim që do të shërbejë për të rritur rivalitetin dhe për të mos i lënë mundësi ekipeve të Kategorisë së Parë dhe të Dytë që të tolerojnë, për të mbajtur të gjallë deri në fund garën sportive.