Kombëtarja shqiptare do të luajë dy ndeshje miqësore para finaleve të Europianit “Gjermani 2024” kundër Lihtenshtejnit dhe Azerbajxhanit më datë 3 dhe 7 qershor.
Ndërkohë sot është vendosur edhe stadiumi ku do të luhen këto takime si dhe orari i sfidave. FSHF ka gjetur akordin me federatat përkatëse që ndeshjet ndaj Lihtenshtejnit dhe Azerbajxhanit të zhvillohen në Hungari në “Haladás Sportkomplexum”.
Takimi ndaj Lihtenshtejnit do të luhet më datë 3 qershor në “Haladás Sportkomplexum“ në orën 20:00, ndërsa ndeshja ndaj Azerbajxhanit më datë 7 qershor po në “Haladás Sportkomplexum“ në orën 19:00.
Shqipëria do të nisë rrugëtimin në Kampionatin Europiani “Gjermani 2024”, më datë 15 qershor kundër Italisë, në stadiumin “BVB Stadion Dortmund”, duke nisur nga ora 21:00.
Katër ditë më pas, më datë 19 qershor kuqezinjtë do të luajnë ndeshjen e dytë të Europianit kundër Kroacisë prej orës 15:00, në stadiumin “Volksparkstadion Hamburg”.
Ndeshjen e fundit në Grupin B, Shqipëria do ta luajë ndaj Spanjës më datë 24 qershor, në stadiumin “Dusseldorf Arena”, në orën 21:00.





