Një 27-vjeçar nga Korça është arrestuar ditën e djeshme, pasi i është gjetur një qese me 10 kg kanabis. Lënda narkotike ishte fshehur në një ambient që shërbente për lyerje automjetesh.

Kontrolli në këtë servis është bërë nga shërbimet e policisë pas informacioneve të marra në rrugë operative.

“Specialistët e Seksionit për Narkotikët në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit: Sokol Bardhollari, 27 vjeç, banues në Korçë.

Arrestimi i tij u bë pasi, më datë 27.02.2017, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, si edhe gjatë kontrollit që shërbimet e Policisë kanë ushtruar në një servis që shërbente për lyerje automjetesh, në lagjen nr. 4 në Korçë (pronë e këtij shtetasi) iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale 10 kg lëndë e dyshuar si narkotike Cannabis Sativa, e vendosur në një qese plastmasi ngjyrë të zezë”, thuhet në njoftimin e policisë.