Drejtoria Rajonale e AMP Tiranë ka kryer ndalimin e shtetasve:

E.B., 36 vjeç, me detyrë Specialist në Seksionin e Financës në Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre” dhe “Fallsifimi kompjuterik”; E.B., 36 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Gjithashtu, Drejtoria Rajonale e AMP Tiranë ka proceduar në gjendje të lirë edhe shtetasen M.H., 56 vjeçe, me detyrë operatore në Kartotekën e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore, e dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre” dhe “Fallsifimi kompjuterik”.

Veprimet u kryen mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, si edhe provave e fakteve të administruara nga hetimet e zhvilluara me metoda speciale të hetimit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë për llogari të mjë procedimi penal të vitit 2022, nga të cilat rezultoi se punonjësi A.B., në bashkëpunim me shtetasen M.H., në mospërmbushje të rregullt të detyrës, duke shfrytëzuar aksesin në sistemin e gjobave të automjeteve, kundrejt përfitimit në forma të ndryshme nga drejtuesit e mjeteve të ndëshkuara, të cilat siguroheshin nga shtetasi E.B. dhe persona të tjerë të paidentifikuar,  ndryshonin/falsifikonin të dhënat kompjuterike mbi statusin e gjobave nga “E papaguar” në “E paguar”, duke cënuar interesat e ligjshme të shtetit dhe shkaktimin e një dëmi financiar të konsiderueshëm.

Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë si dhe drejtuesve të mjeteve që implikohen në veprën penale të “Korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.