Pas një heshtjeje gati 4 mujore (të paktën që nga fillimi i këtij viti), Fondi Shqiptar i Zhvillimit, që është zbatuesi i investimit të qeverisë në shëtitoren “Taulantia” në Durrës, u kujtua për lungomaren e qytetit bregdetar.
Ose më saktë, u kujtua të postonte një shkrim për rëndësinë që kanë shëtitoret buzë detit, të cilin e shoqëronte me një foto, ku shfaqet pamja që duhet të marrë shëtitorja “Taulantia” nëse projekti në letër do të zbatohet rigorozisht edhe në realitet.
Ajo që të bënte përshtypje në shkrimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit që i ngjante një hartimi apo një eseje gjimnazisti në orën e letërsisë ishte fakti se për asnjë moment FSHZH-ja nuk është ndalur të japë shifra konkrete të volumit të punimeve të kryera përgjatë këtyre muajve në shëtitoren e Durrësit.
Paraditen e sotme, DurrësLajm publikoi një shkrim që ngrinte pyetjen nëse një pjesë e shëtitores do të mund të jetë e aksesueshme nga durrsakët, në momentet kur masat kufizuese të nisin të lehtësohen.
Bashkia na konfirmoi se i ka kërkuar FSHZH-së që pjesa qëndrore e shëtitores të hapet për qytetarët gjatë muajve të verës, por nëse kjo kërkesë do të plotësohet apo jo, askush nuk di ta thotë me siguri të plotë.
Nuk është e para herë që investimet publike në Durrës zvarriten dhe nuk përfundojnë brenda afateve të kërkuara. Për hir të së vërtetës, afati i përfundimit të punimeve në shëtitore është përcaktuar nëntori i këtij viti, por nëse ish-Vollga do të jetë e mbyllur për qytetarët gjatë sezonit turistik, këta të fundit do të humbin ndoshta të vetmen hapësirë publike ku mund të shijojnë xhirot buzë detit. Nga ana tjetër, bizneset që operojnë aty mund të regjistrojnë humbje edhe më të mëdha sesa ato që po regjistrojnë këto javë izolimi dhe mbyllje.
Një gjë tjetër që tërheq vëmendjen tek fotoja e shëtitores së përfunduar është gjelbërimi i konsiderueshëm i saj dhe mungesa e leshterikëve në breg të detit.
Secili qytetar durrsak që ka shëtitur përgjatë shëtitores muajt e fundit nuk ka pasur sesi t’i shpëtonte nga fushëpamja pirgjet e mëdha me leshterikë dhe palmat ekzistuese që kanë nisur të thahen.
Gjithsesi të presim e të shpresojmë se kur investimi për herë të tretë në shëtitore të përfundojë, ajo t’i përafrohet projekteve 3D që prezantohen para nisjes së zbatimit të projekteve të investimeve publike.
Shkrimi i plotë i Fondit Shqiptar të Zhvillimit:
Shëtitoret buzë detit luajnë një rol shumë të rëndësishëm, në jetën e qyteteve bregdetare dhe zhvillimit të tyre turistik.
Janë hapësira të përbashkëta ku bëhen një, natyra dhe zona urbane. Ato nxisin krijimin e marrëdhënieve shoqërore, si dhe promovojnë jetën civile.
Shumë prej atyre që kanë fatin të jetojnë pranë detit, ose thënë ndryshe “afër detit, afër mbretit” na përshkruajnë të gjithë pasditet “e marrjes së sasisë së jodit”, e cila në rastin më të mirë të qyteteve të tjera përpiqet të kompensohet në një fundjavë.
Por edhe në raport me natyrën dhe për ta shijuar atë, njeriu ka nevojë për komoditet.
Këtu hyjnë në punë shumë e shumë projekte, të cilat përpiqen që me ndërhyrje minimale të ofrojnë përmirësime në peizazhin dhe elementët e duhur urban. Sfida e tyre më e madhe është ajo e ruajtjes së identitetit dhe gjurmëve historike e kulturore, në zonën ku do të kryhet ndërhyrja.
Specifikisht gjatë sezonit veror, mbipopullimi, hapësira të pamjaftueshme dhe të pasistemuara janë arsye që kanë sjellë nevojën e disiplinimit përmes infrastrukturës moderne, e cila përfshin disa mijë m2 në gjelbërim, pedonale, ndriçim, mundësi parkimi e elementë të tjerë të mobilimit urban.
Shëtitoret janë dhe një përgjigje ndaj kërkesës në rritje për më shumë shërbime dhe aktivitete, për banorët dhe turistët.
Kjo pasi në aspektin social, synimi i shëtitorëve është përfshirja e të gjithë grupmoshave; që prej ecjes së pasdites, kohës për familjen pas një dite të ngarkuar apo iniciativës për të startuar një biznes tëndin aty pranë.
Në këtë kuadër, detyra e agjencive zbatuese, për të plotësuar të gjithë nevojat fillon prej konsultimeve publike me aktorët e interesit, deri në miratimin e projektit final, i cili duhet të reflektojë dhe të harmonizojë të gjithë nevojat dhe sugjerimet e komunitetit.
Shëtitoret dhe shfrytëzimi i tyre gjatë gjithë vitit vjen si një zgjidhje e qëndrueshme dhe afatgjatë, në rritjen e ekonomisë lokale dhe turizmit të qytetit.





