Mbrëmjen e së premtes vjen premierë në teatrin e Durrësit, vetëm për një natë, komedia italiane “Indian Party”.

Nën regjinë e Madi Selimit dhe nën interpretimin e aktoreve të mirënjohura Delinda Disha, Anila Balla, Jorida Meta, Ermela Ruri dhe Deljana Topulli, publiku durrsak do të ketë mundësinë për më shumë se një orë të ndjekë një komedi plot me batuta, por edhe me një fjalor “pikant”, prandaj rekomandohet që publiku në sallë të jetë i moshës +16.

Është historia e katër shoqeve fëmijërie, që takohen në një suitë hoteli për të festuar fundin e beqarisë së një tjetër shoqeje (e cila në fakt nuk del kurrë në skenë).

Në pritje e sipër ato fillojnë të zbulojnë sekrete të mbartura prej vitesh, marrëdhënie të dështuara me meshkujt, lidhjet, familjen, fëmijët, sikurse dhe për orientimet e tyre seksuale.

Pak ditë para premierës, aktorja Delinda Disha dhe regjisorja Madi Selimi zbulojnë për mikrofonin e “DurrësLajm” disa nga “highlight”-et e shfaqjes, që sjell historitë e katër vajzave, tek të cilat publiku femëror mund të gjejë veten.

Ndiqni prenoncimet e Dishës dhe Selimit në videon bashkangjitur.