Tiranë, 31 korrik 2014 – Quhet Dren Hoxha. Është 20 vjeç dhe luan te Shalke 04 në Gjermani. Është 185 cm i gjatë dhe pozicionohet në rolin e një mesfushori të avancuar (në mjaft raste përdoret edhe si organizator). Te klubi gjerman shihet si një talent me të ardhme të sigurt, ndaj jo pa qëllim i kanë zgjatur që sezonin e shkuar kontratën për deri në qershorin e 2015-s. Vetëm 10 ditë më parë ishte pjesë e skuadrës së parë në ndeshjen miqësore ndaj Hansa Rostokut (3-0 për Shalken), ku ai shënoi golin e tretë në minutën e 74-t. E pra, ky lojtar është afrimi më i ri në Kombëtaren e Shpresave të Shqipërisë. Lajmi është konfirmuar nga trajneri i Shpresave, Skënder Gega.

Pak ditë më parë, Hoxha, i cili ka lindur në Ofenbah, Gjermani, nga prindër kosovarë, theksoi se priste një ftesë nga Federata Shqiptare e Futbollit. Sakaq, është kundërpërgjigjur Gega, i cili ka rrëfyer se ka pasur një bisedë telefonike me lojtarin, madje i ka nisur edhe ftesë për miqësoren e 6 gushtit kundër Katarit (gjithnjë nëse kjo do të realizohet). “Kam telefonuar Drenin. Ai u shpreh tejet i kënaqur me ftesën dhe pranoi të vishet kuq e zi”, ka thënë tekniku.

Por, nga ana tjetër, është sqaruar se gjithsesi Hoxha do ta ketë të pamundur që të luajë në këtë miqësore, pasi, sipas trajnerit Skënder Gega, lojtari nuk disponon asnjë pasaportë për të udhëtuar. Ndeshja miqësore kundër Katarit është programuar të luhet më 6 gusht në Skoci dhe shumica e lojtarëve që nuk kanë një pasaportë të huaj duhet të pajisen me viza për të udhëtuar drejt Skocisë.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/