PRISHTINE, 19 mars 2013 – Përparimet në dialogun politik do të jenë të rëndësishme për procesin e integrimit të Kosovës dhe Serbisë në Bashkimin Evropian, ka thënë komisionari për zgjerim i BE-së, Stefan Fule. Këto komente, Fule i bëri në Prishtinë pas takimeve që zhvilloi me udhëheqësit më të lartë të institucioneve vendase.
Fule tha se pret që dialogu Prishtinë-Beograd të jap rezultate konkrete në mënyrë që më pas Brukseli të marrë qëndrime pozitive në lidhje me aspiratat e të dyja vendeve drejt integrimit europian. Zyrtari i Brukselit ka inkurajuar kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë që të arrijnë marrëveshje qysh në takimin e së mërkurës në Bruksel.
“Ditët dhe javët në vijim do të jenë kruciale për raportet midis Kosovës dhe BE-së. Sidomos marrëveshja me Beogradin në takimin e nesërm dhe zbatimi i saj në terren do të hapte rrugën për një vendim pozitiv në lidhje me negociatat për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit", është shprehur Fule.
Gjatë kësaj vizite, Fule ka lavdëruar angazhimet e Kosovës në përmbushjen e kritereve afatshkurta të përcaktuara nga Komisioni Evropian në procesin e përgatitjeve për negocimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
Por, ai ka rikujtuar edhe njëherë se shumë sfida kanë mbetur para Kosovës e që ndërlidhen me sundimin e ligjit dhe reformat.
/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/