STRASBURG – Gjatë debatit për rezolutën në Strasburg, Komisioneri për Zgjerimin mirëpriti raportin e Parlamentit Evropian për Shqipërinë. 

Megjithë reformat e mundësuara nga një klimë e re pas marrëveshjes politike të vitit 2011, Shtefan Fyle përsëriti keqardhjen për mosplotësimin e kushteve të përcaktuara nga Komisioni.

"Ne e kemi bërë të qartë se çfarë duhet të bëjë Shqipëria për të vijuar progresin në rrugën e integrimit Europian. Fatkeqësisht, udhëheqësit politikë të vendit nuk ishin gjithnjë të aftë të vënë vijimësisht integrimin në krye të axhendave të tyre politike dhe nuk patën gjithnjë vullnetin për të bërë kompromiset e duhura politike për mbështetjen ndërpartiake që kërkojnë dukshëm reformat thelbësore",- tha Fyle.

Komisioneri nënvizoi rëndësinë që do të kenë zgjedhjet e vitit të ardhshëm për perspektivën europiane të vendit tonë.

"Shqipëria duhet të ndërtojë mbi arritjet e deritanishme dhe të forcojë e të ruajë dialogun konstruktiv politik. Kjo është thelbësore që të vijojë të japë rezultate në reforma. Shqipëria duhet gjithashtu të dorëzojë prova të mëtejshme dhe të dëshmojë rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit, pastrimit të parave dhe krimit të organizuar. Mbajtja e suksesshme e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 përbën një element thelbësor për perspektivën e integrimit europian të Shqipërisë",- theksoi Fyle.