Zvicër, 3 korrik 2014 – Për t'u rikthyer menjëherë në elitën e futbollit anglez Fulhami ka hedhur sytë nga dy vëllezërit Xhaka. Sipas të përditshmes gjermane Bild trajneri i skuadrës londineze Felix Magath po ndjek me vëmendje dy futbollistët me orgjinë shqiptare dhe në ditët e ardhshme pritet ti bëjë një ofertë zyrtare Borussias së Moenchengladbach për Granitin por edhe Bazelit për Taulantin.
Në fakt objektivi i parë i Fulhamit që sezonin e ardhshëm do të luajë në Championship është 21-vjecari që aktivizohet në rradhët e përfaqësues zvicerane megjithatë për të bindur Granitin të afrohet te ekipi i tij, Magath është i gatshëm të transferojë në Londër edhe vëllain e tij të madh Taulant Xhakën. Fakti që mund të luajë sërish në një skuadër me të vëllain mund ta bindë mesfushorin e Borussia Moenchengladbach të transferohet në Craven Cottage, megjithatë për të transferuar Granit Xhakën në ishull, Fulhami më parë duhet të mposhtë konkurencën e klubeve të mëdha europiane si Interi, Napoli dhe Evertoni që kanë shfaqur interes të vazhdueshëm për të.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





