TIRANË, 13 mars 2013 –Sikurse njofton zyra e shtypit e Bankës së Shqipërisë, para disa ditësh, Qendra për Studime mbi Evropën Juglindore i Universitetit britanik të Oksfordit, organizoi një konferencë për paraqitjen e librit në anglisht “Growth in Albania and South East Europe: The Way Ahead” (Rritja ekonomike në Shqipëri dhe në Evropën Juglindore: rruga drejt së ardhmes) me autor, Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.

Libri përmban një grup çështjesh studimore të përgatitura nga Fullani në 4-5 vitet e fundit, të cilat trajtojnë gjerësisht  rritjen dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe të Evropës Juglindore.

Në këtë libër përmes një analize të zhvillimeve të 20 viteve të fundit në ekonominë shqiptare synohet të bëhen përgjithësime me vlerë për të ardhmen.

Kjo analizë, e cila trajton gjerësisht dinamikën dhe konsekuencat që rrjedhin nga procesi i integrimit mes vendeve të rajonit dhe më gjerë në Bashkimin Evropian, mundëson identifikimin në nivel makro dhe mikroekonomik të burimeve të rritjes në të ardhmen.

Libri trajton gjerësisht problematikat kryesore të zhvillimit të ekonomisë dhe të tregjeve të mallrave e të atyre financiare.

Ai i vë një theks të veçantë evidentimit të avantazheve konkurruese dhe domosdoshmërisë për bashkëpunim rajonal, si dy nga elementët kryesorë, të cilët do të çlirojnë burime të mëdha rritjeje si për  Shqipërinë ashtu dhe për rajonin e Evropës Juglindore.

Në konferencë morën pjesë profesorë dhe studentë të Universitetit të Oksfordit, akademikë të ftuar nga Shkolla Ekonomike e Londrës, përfaqësues nga universitete të tjera në Londër dhe në Shqipëri, drejtues të lartë të bankave qendrore të rajonit, përfaqësues nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, përfaqësues të biznesit dhe sistemit financiar në rajon, përfaqësues të Bankës së Shqipërisë, si dhe trupi diplomatik shqiptar në Londër.

Prezantimi i librit u hap me një përshkrim të shkurtër nga drejtori i Qendrës së Studimeve Evropiane pranë Universitetit të Oksfordit Othon Anastasakis.

Më pas, Guvernatori Fullani bëri një ekspoze të zgjeruar të ideve të trajtuara dhe konkluzioneve  kryesore të librit.

Në pjesën e dytë të veprimtarisë  Guvernatori Fullani bashkëbisedoi dhe iu përgjigj pyetjeve të të pranishmëve në lidhje me çështjet e trajtuara në libër.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/