Tiranë, 11 shtator 2014 – Teksa Guvernatori i shkarkuar Ardian Fullani kërkoi apelimin e vendimit të gjykatëses Blerina Muça që e la atë në burg, mësohet se mund të jetë gjyqtari Gjin Gjoni, relatori që do të gjykojë kërkesën e ish-kreut të Bankës së Shqipërisë.
Në kalendarin e masave të sigurisë për periudhën 16 Shtator-30 Shtator 2014, Gjin Gjoni rezulton të jetë caktuar relator në gjykim, së bashku me anëtarët e tjerë, gjyqtarët Metush Saraçi dhe Hysni Demiraj.
Vendimi për t’i dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” Fullanit u mor më 7 Shtator dhe sipas ligjit në fuqi, për apelimin e masës lihet afat deri në 10 ditë. Çka do të thotë se avokati Maks Haxhia, maksimumi deri në 17 Shtator duhet të dorëzojë në Gjykatën e Apelit kërkesën për të apeluar masën e sigurisë ndaj klientit të tij. Kjo datë korrespondon edhe me periudhën 16-shtator-30 shtator që Gjoni është caktuar relator i çështjeve, sipas kalendarit të masave.
Apelimi i masës së sigurisë në Gjykatën e Apelit për ish-Guvernatorin e shkarkuar Ardian Fullani është konfirmuar publikisht nga avokati i tij, Maks Haxhia. Ndërkaq, nga një vëzhgimi në faqen zyrtare të Gjykatës së Apelit, në masat e publikuara deri më 17 Shtator, nuk rezulton të jetë caktuar masa e Fullanit.
Së bashku me masën e sigurisë ndaj Fullanit pritet të shqyrtohet dhe ajo e Inspektores së përgjithshme Elivar Golemi e cila së bashku me eprorin e saj u burgos me akuzën e “shpërdorimit të detyrës” në lidhje me skandalin në institucionin më të lartë financiar në vend me vjedhjen e 713 milionë lekëve të rinj nga thesari i shtetit.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





