Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses një operacion të koduar “End of July” (Fundi i korrikut), duke vënë në pranga 2 persona, babë e bir, që u kapën me plot 55 kilogramë kanabis. 

Të arrestuarit janë Avni Elezi, 34 vjeç dhe babai i tij Bajram Elezi, 66 vjeç, banues në fshatin Mener. 

Operacioni që çoi në kapjen e tyre nisi pas informacioneve për shitje të sasive të konsiderueshme të kanabisit në zonën e Kamzës.

Kështu, policia pikasi të hënën babë e bir pranë një qendrë tregtare te ‘kthesa së Kamzës’. Ata po lëviznin me një makinë “Ford Focus”, që e drejtonte djali 34-vjeçar.

Gjatë kontrollit në makinë u gjet një letër e bardhë brenda të cilës kishte bimë kanabisi. Duke qenë në kushtet e flagrancës, policia ushtroi më pas kontroll në banesën e 34-vjeçarit.

Në prezencën e babait të tij Bajram Elezi, në korridorin e një magazine u gjetën dy fuçi ngjyrë të kuqe me kanabis, duke bërë që të dy familjarët të përfundonin në pranga.