Vladimir Klitschko ka vendosur të tërhiqet nga boksi, duke hequr dorë nga një ndeshje revanshi me Anthony Joshua, që po pritej me interes të madh nga gjithë sportdashësit. Ukrainasi u mposht nga Joshua në sfidën e zhvilluar në prill dhe britaniku kishte dhënë “ok” për një tjetër përballje kolosale në Las Vegas, më 11 nëntor.

Megjithatë, 41-vjeçari Klitschko bëri të ditur publikisht se ka vendosur të dorezat në gozhdë, pas një karriere 21-vjeçare, kësisoj ndeshja e madhe nuk do të zhvillohet. Legjenda e peshave të rënda tërhiqet nga boksi pasi fitoi 64 ndeshje dhe humbi 5 prej tyre. Klitschko ka qenë boksieri më i mirë i planetit në vitet 2000 dhe ka mbajtur disa tituj: IBF, WBA, WBO dhe IBO. Ai u bë i njohur fillimisht në vitin 1996, kur si amator fitoi medaljen e artë, në Lojërat Olimpike të vitit 1996. Dy vjet më vonë, ai u bë profesionist dhe arriti fitoren e parë me “K.O” ndaj Marcus McIntyre, duke nisur një aventurë që në fund do ta bënte ndër më të mëdhenjtë e këtij sporti.