Pavarësisht se është muaji i Ramazanit, numri i banorëve të Kosovës që duan të kalojnë fundjavën në Shqipëri është rritur ndjeshëm dhe kjo është vërejtur këtë fundjavë në doganën e Morinës. Dyndja e pushuesve kosovarë ka ardhur edhe si rezultat i rritjes së temperaturave, çka favorizon kalimin e pushimeve në bregdetin shqiptar.
Fluksi është konstatuar që në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës në pikën e kalimit kufitar të Morinës dhe në Rrugën e Kombit, ku automjete dhe autobusë me pushues kosovarë i janë drejtuar bregdetit.
Sipas punonjësve të doganës së Morinës, mëngjesi i sotëm shënoi fluksin e parë të pushuesve kosovarë dhe në ditët në vijim dyndja pritet të jetë edhe më e madhe. Atraksioni i qyteteve si Durrësi, Saranda, Lezha, Tirana janë pjesë e guidave dhe organizimeve masive të qytetarëve kosovarë.
/Ora News





