Fundjava kthen në fushë Kategorinë Superiore, ekzaktësisht aty ku e lanë sfidat e Kupës së Shqipërisë. Java e 19-të starton të shtunën me dy ndeshje në orën 14:00. Në Shkodër, Vllaznia përballet sërish me Skënderbeun. Pas barazimit pa gola në Reshit Rusi, kuqeblutë sfidojnë sërish kampionët në fuqi. Por, nëse ndeshja e Kupës shërbeu si test për kolaudimin e grupit, tashmë për të besuarit e trajnerit Armando Cungu nis sfida e vërtetë, ajo e mbijetesës.

Në anën tjetër, korçarët kërkojnë ta nisin fazën e dytë me fitore, për të hedhur pas shpine disfatën e fundit në Vlorë, por edhe për të mbajtur në distancë sigurie Partizanin ndjekës. Problem për Josën është plotësimi i boshllwkut të lënë nga Olayinka e Berisha, por edhe forma fizike e lojtarëve. Paralelisht me sfidën në Shkodër, Tirana luan në transfertën me Tërbunin. Një ndeshje që në letër favorizon bardheblutë, të cilët mbeten skuadra me mbrojtjen më të fortë të kampionatit. Por, ndaj pukjanëve që mbyllin renditjen, më së shumti nevojiten golat për ta afruar ekipin e Dajës në zonën e Kupave të Europës.

Përsëritje e duelit të Kupës është edhe ndeshja ndërmjet Partizanit dhe Laçit, të shtunën në orën 17:00. Të kuqtë do të provojnë të hakmerren në kampionat, pas disfatën 2-0 në sfidën e parë çerekfinale të Kupës. Skuadra e Agostinelli-t duket e avantazhuar, jo vetëm prej faktorit fushë, por edhe sepse me fitoren e fundjavës së kaluar, kurbinasit duket se i kanë përqendruar të gjitha forcat në kupë. Dy sfidat e tjera të Superiores luhen të dielën. Kukësi pret në shtëpi Bylisin në orën 14:00, me mallakastriotët që janë në krizë të plotë, pasi në ekip nuk ka mbetur më asnjë trajner i mirëfilltë. Por, ekipi i Duros e ka të qartë se nuk mund ti nënvlerësojë rivalët, edhe si një mënyrë për të reaguar për humbjen në kupë me Teutën. Pikërisht durrsakët mbyllin javën e 19-të të kampionatit, me sfidën ndaj Flamurtarit në Vlorë në orën 17:00. Kuqezinjtë e rinovuar në merkaton e janarit kërkojnë fitoren e parë në vitin 2016, si mënyrë për të bindur opinionin se projekti i nisur ka baza të forta. Por, të besuarit e teknikut Zekirja Ramadani i pret një mision i vështirë përballë një Teute të konsoliduar, që në fushë shfaq kualitet dhe entuziazëm.