Një anije mallrash është fundosur në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në ujërat greke, në veri të ishullit Andros, duke vënë në lëvizje autoritetet portuale.
Anija, me flamur të Vanuatu-së, ishte nisur nga Shqipëria drejt Ukrainës dhe transportonte rreth 8 mijë tonë sodë. Ajo u përplas me shkëmbinjtë në një zonë të vështirë bregdetare, duke pësuar dëme të rënda që çuan në fundosjen e saj.
Në bord ndodheshin 9 anëtarë ekuipazhi, 8 shtetas turq dhe 1 nga Azerbajxhani. Të gjithë u shpëtuan me sukses në një operacion të koordinuar nga Roja Bregdetare Greke.
Dy marinarë u nxorën nga deti nga një mjet patrullimi, ndërsa shtatë të tjerët u gjetën dhe u evakuuan nga një zonë shkëmbore e paarritshme në ishull.
Të mbijetuarit u transportuan në portin e Andros dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.
Në operacionin e shpëtimit morën pjesë disa mjete detare, një anije pasagjerësh, tre anije të tjera që ndodheshin pranë, si dhe një helikopter i Forcave Ajrore.
Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit detar.





