DURRES, 18 mars 2013 – Manovrimi i gabuar i një trageti të linjës Bari-Durrës ka sjellë për pasojë mbytjen e një anijeje peshkimi, në bordin e së cilës ishin 5 peshkatarë.
Mësohet se mëngjesin e sotëm është mbytur peshkarexha Aquaria 2, e cila është goditur nga trageti AF Michela, i kompanisë Adria Ferries, gjatë kohës që ky i fundit po manovronte për t’u ankoruar.
Pronari i anijes së peshkimit, Aquaria 2, Besim Hajdari ka deklaruar për Agjencinë e lajmeve “Dyrrah”, se moti i keq nuk i ka mundësuar ankorimin pranë kalatës së peshkimit, e për pasojë ata janë ankoruar ku të mundnin.
“Jemi kthyer nga gjuetia rreth orës 4-5 të mëngjesit, por moti i keq nuk na linte të ankoroheshim. Gjithsej në bord ishim 5 veta. Ndërsa ankoruam aty ku mundëm, pamë të vinte drejt nesh trageti i linjës Bari-Durrës. Trageti u përplas më parë me një anije tregtare që transportonte kontejnerë dhe pastaj na goditi neve. Falenderojmë Zotin që goditi atë anije më parë, sepse në të kundërt ne nuk do ishim gjallë”,- rrëfen Hajdari.
Njëkohësisht mësohet se nga përplasja me peshkarexhën dhe anijen tregtare trageti ka pësuar dëme të vogla, por nuk ka pasur rrezik për pasagjerët.
Shumë herë është ngritur në media shqetësimi se afërsia e kalatës së peshkimit me terminalin e trageteve krijon probleme të shumta për ankorimin e mjeteve lundruese. Sektori i peshkimit prej vitesh është mbërthyer nga kriza e për pasojë pjesa më e madhe e peshkarexhave janë thuajse të amortizuara.
Nuk kanë munguar rastet kur anijet e peshkimit janë mbytur në kalatë, pasi janë braktisur nga pronarët e tyre. Ndërtimi i portit të ri të peshkimit, punimet e të cilit kanë nisur para disa muajsh, pritet të zgjidhë përfundimisht shqetësimin e ngritur nga kompanitë e lundrimit dhe pronarët e peshkarexhave.
(VIJON)
/m.l. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/





