Njëra prej automjeteve që u përfshi nga flakët pak pas mesnatës në qytetin e Lezhës mësohet se përdorej nga kryetari i bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj.

Bëhet fjalë për dy makina, të cilat ishin të parkuara në parkingun e një pallati, në lagjen “Besëlidhja”.

“Nga veprimet e para hetimore, rezulton se janë përfshirë nga flakët dy automjete të parkuara afër njëra – tjetrës, dhe konkretisht: Automjeti Mercedes Fuoristradë ML me targë AA 400 JK në pronësi të shtetases Sh.P. dhe në përdorim nga shtetasi F.F., si dhe mjeti Mercedes Benz me targë LE 7495 E në pronësi të shtetasit K.Ll“, thotë policia në një njoftim të sajin.

Policia thotë se u njoftua për zjarrin që kishte përfshirë automjetet, rreth orës 00:45. Shërbimet e policisë dhe të zjarrfikëses ndërhynë duke shuar zjarrin.

Deri më tani, policia thotë se janë marrë disa deklarime, si dhe po bëhet këqyrja e kamerave përgjatë rrugës dhe në afërsi të vendit të ngjarjes me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Gjithashtu po bëhet vlerësimi i rastit nga eksperti piroteknik me qëllim përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.