Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania kanë paralajmëruar presidetin sirian, Bashar al-Assad, të mos përdorë armë kimike, teksa ka filluar fushatë për të fituar kontrollin e provincës së fundit të kontrolluar nga rebelët në Siri.
Në një deklaratë të përbashkët të publikuar më 21 Gusht, tri fuqitë Perëndimore kanë thënë se “ne jemi të përkushtuara të veprojmë nëse regjimi i Assadit përdorë sërish armë kimike”.
Forcat siriane kanë nisur një ofensivë ushtarake në provincën Idlib, pasi kanë fituar kontrollin e pjesës më të madhe të territorit që dikur është zotëruar nga rebelët.
Ata kanë gjuajtur bomba dhe artileri në Idlib, provincë e cila gjendet në kufi me Turqinë dhe njihet si zonë e rebelëve që janë dërguar aty muajt e fundit, për shkak të një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Rusia, e cila u ka siguruar rebelëve rrugë të sigurt në këtë provincë, në rast të dorëzimit të territorit që dikur kanë kontrolluar në zonën afër Damaskut.