Teuta nuk e ka mbyllur këtu me afrimet. Zyrtarisht kanë marrë Aldrid Oshafin, Blerim Krasniqin dhe Iran Gonçalves, e megjithatë të tjerë lojtarë do u shtohen “djemve të detit”.

Pasi kaluan me sukses turin e parë të Ligës së Europës, tashmë ambiciet e durrsakëve janë shtuar. Klubi do të futet fuqishëm edhe në merkato. Krasniqi rezultoi një blerje e goditur, e megjithatë llogaritë me sulmin janë të hapura.

Pak ditë më parë doli në skenë emri i Sebino Plakut, madje edhe vetë lojtari e pranoi. Gjithsesi, nuk mund të flitet akoma për marrëveshje.

Pasi të luhet edhe Superkupa e Shqipërisë, drejtuesit dhe stafi teknik do të ulen për të vendosur pikat mbi “i” për afrimet që ka nevojë skuadra.