Pak ditë nga nisja e vitit të ri arsimor, transporti i nxënësve me mjetet private që kontraktohen nga shkollat, është në fokus të punës së Policisë së Qarkullimi Rrugor në Durrës.

Për "DurrësLajm", Valentin Floriri tha se "Policia e Qarkullimit Rrugor në Durrës, me qëllim rritjen e masave të sigurisë rrugore gjatë transportit të nxënësve të shkollave të të gjithë niveleve, do të kohtrollojë mjetet e transportit. Vitet e kaluara, shoferë pa patentë e të dehur janë kapur duke transportuar nxënësit. Kërkojmë bashkëpunimin me shkollat," tha kreu i Qarkullimit Rrugor.

"Krijimi dhe konsolidimi i një dimesioni të ri, në drejtim të marrëdhënieve Polici–Shkollë–Komunitet, gjatë zhvillimit të procesit mësimor në shkollat, nisur nga shqetësimet që kemi pasur në transportin e nxënësve të shkollave, ku në shumë raste nxënësit transportohen me mjete të pa licensuara dhe miratuara nga ana e Bashkisë, të cilët nuk plotësojne kushtet për transport të nxënësve dhe bëhen rrezik potencial për aksidente janë marrë masat si më poshtë:

1- Nga ana e Sektorit të Policisë Rrugore Durrës po bëhet punë parandaluese dhe sensibilizuese, në bashkëpunim me Drejtoritë Arsimore Durrës dhe Krujë, me qëllim mos lejimin e udhëtimit të nxënësve të shkollave me mjete të palicensuara dhe miratuara nga ana e Bashkisë.

2- Tërheqim vëmendjen, prindërve të nxënësve, që në asnje rast të mos pranojnë që fëmijët e tyre, të transportohen nga mjete të pakontrolluara dhe miratuara, pasi përbën rrezik për jetën e tyre.

3- Nga ana e shërbimeve të Policisë Rrugore, do të ushtrohen kontrolle të vazhdueshme, ndaj mjeteve të shërbimit për transport të nxënësve dhe në çdo rast të konstatimit të drejtuesve e të mjeteve që transportojnë nxënës në kundërshtim me rregullat, do të merren masa më të rënda që parashikon ligji."

K.H.