Katër shtetas sirianë kanë mbetur të plagosur në një aksident automobilistik në aksin rrugor Zvezdë-Podgorie, në vendin e quajtur “Lapidari”.
Një mjet brenda të cilit udhëtonin shtetas të ardhur nga vendet me konflikt, ka qenë duke udhëtuar nga Bilishti në drejtim të kryeqytetit.
Mësohet se drejtuesi i mjetit nuk i është bindur urdhrit të policisë në hyrje të qytetit të Bilishtit. Në kushte të tilla policia në bashkëpunim me FRONTEX është vënë në ndjekje të tyre.
Drejtuesi i mjetit për t’i shpëtuar policisë ka zgjedhur aksin rrugor nga Zëmblaku për të kaluar më pas në aksin nacional Korçë-Pogradec.
Në kryqëzimin e fshatit Podgorie ishte vendosur një tjetër postobllok policie i cili kishte bllokuar pjesën më të madhe të rrugës.
Në të tilla kushte drejtuesi i mjetit me shtetasit e huaj gjatë manovrës për të shmangur mjetin e policisë është përplasur me një mjet tjetër duke sjellë edhe përmbysjen e mjetit.
Si pasojë mësohet paraprakisht se 4 shtetas sirianë mbetën të plagosur.





