Në shtëpinë e “djallit” vijojnë të jenë të nxehta dy çështje, e ardhmja e Conceiçao-s dhe ajo e Drejtorit Sportiv, dy çështje që sigurisht janë dhe të lidhura ndërmjet tyre, pasi për fatin e trajnerit të ri pritet të vendos drejtori i ri sportiv. Situata është përmbysur totalisht ditët e fundit, kjo pas takimit që Giorgio Furlani, administratori i deleguar i Milanit, zhvilloi në SHBA me Gerry Cardinale, pronarin e kuqezinjve.

Furlani u rikthye në Milano sërish me të njëjtin pushtet që kishte përpara se të vinte Ibrahimovic. Në letër dhe në fushë, Furlani është njeri më i rëndësishëm në klub, është ai që ka pushtetin e plotë për të vendosur për çështjet financiare dhe teknike, e ka ai firmën në çdo rast, ndërsa Ibrahimovic do të jetë thjesht një këshilltar i presidentit, ashtu siç u projektua në fillim kur mori rolin drejtues. Këto zhvillime brenda klubit kanë vendosur edhe të ardhmen e Drejtorit të ri Sportiv.

Është e qartë se Furlani mendon ndryshe nga Ibra kur bëhet fjalë për këtë post. Administratori i deleguar i Milanit ka vetëm një emër në listën e tij të dëshirave, Fabio Paratici, ish-drejtorin sportiv të Juventusit. Në këtë mënyrë, me Furlanin që vendos, opsioni për të parë Igli Taren në Milano është zbehur jashtëzakonisht shumë, për të mos thënë që tani është e pamundur.