Vendet e Bashkimit Evropian kanë rënë dakord të zgjasin afatin për të ulur me 15 për qind sasinë e gazit natyror që përdorin deri në pranverën e vitit 2024. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Valentina Vasileva synimi është të vazhdojnë të ulin varësinë e tyre nga gazi rus.

“Bota e Vjetër po përjeton një goditje të ftohtë; furnizimet me gaz nuk janë të mjaftueshme për të kaluar dimrin.”

Lena Botanina është një shtetase ruse që jeton me bashkëshortin e saj austriak, Dietrich John, në Bruksel. Ajo i tregon atij videoklipe nga televizioni shtetëror rus.

“Është qesharake, por përsëri, është pak e trishtueshme. Sepse njerëzit mashtrohen në mënyrë aktive!” , thotë Dietrich.

Kur u bë e qartë se lufta në Ukrainë do të vazhdonte edhe dimrin e kaluar, shumë ishin të shqetësuar se si banorët e Evropës Perëndimore do të ngroheshin për shkak të varësisë së rajonit nga gazi natyror rus.

Por sipas BE-së, ata e bënë këtë pjesërisht duke ulur përdorimin e gazit me gati 20 për qind dimrin e kaluar. Moti gjithashtu ndihmoi.

“Ishte një dimër vërtet i ngrohtë dhe i butë. Nuk patëm nevojë për shaje dhe kapele apo për batanije shtesë”, thotë Lena Botanina.

Energjia elektrike ishte më e shtrenjtë në të gjithë BE-në, por shumë banorë që nuk kishin mundësi të paguanin faturat e tyre të energjisë elektrike morën subvencione nga autoritetet.

Dhe sipas zyrës së kryebashkiakut të Brukselit, ka pasur reduktime në ndriçimin e rrugëve dhe ngrohjen në shkolla dhe zyra të tjera publike dhe qeveritare.

“Ne e mbajmë temperaturën 19 gradë Celsius në klasat e shkollave, por në zyra si kjo, mbahet 18 gradë. Në pishina, uji mbahet në 27 gradë”, thotë Benoit Hellings, anëtar i Këshillit Bashkiak për Klimën në Bruksel.

Sipas analistit të pavarur të energjisë Thierry Deschuyteneer, Evropa ia doli mirë pa sasinë e zakonshme të gazit rus. Qeveritë e BE-së gjetën furnizues të tjerë gazi. Dimrin e kaluar, BE-ja mori gaz nga Norvegjia, Algjeria dhe Azerbajxhani. Importet e gazit natyror të lëngshëm, LNG nga SHBA kanë qenë gjithashtu në rritje.

“Vitin e kaluar, ajo që ndodhi dhe ajo që e ndihmoi shumë Evropën ishte pakësimi i kërkesës për gaz të lëngshëm nga Kina. Kërkesat e Kinës do të plotësoheshin nga gazi amerikan. Ky gaz amerikan më pas u dërgua në Evropë. Pra, në një farë mënyre, Kina ndihmoi Evropën”.

Por zyrtarët e BE-së thonë se ulja e përdorimit të gazit është e vetmja mënyrë për t’u siguruar që vendet e BE-së të kenë ngrohje dimrin e ardhshëm.

“Ne propozuam një objektiv për këtë dimër, uljen e kërkesës me 15 për qind. Shtetet anëtare kanë shkuar përtej kësaj. Ata kanë arritur t’u ulin nevojat për gaz me 19 për qind”, thotë analisti i pavarur i energjisë, Thierry Deschuyteneer.

Ekspertët shpresojnë se prodhimi i gazit natyror të lëngshëm do të rritet në botë në vitet e ardhshme, duke stabilizuar çmimet e energjisë dhe importet në Evropë.

BE-ja po mbështet gjithashtu energjinë alternative, me një plan për të siguruar më shumë se 40 për qind të energjisë së saj nga burimet e rinovueshme të energjisë deri në vitin 2030. /VOA