Dy shqiptarë janë vënë në pranga nga policia pasi u kapën me 14 kg kokaine në Rimini, Itali pas urdhër-arrestit ndërkombëtar nga policia gjyqësore federale belge.
Mësohet se shqiptarët, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur, e kanë transportuar lëndën narkotike nga Belgjika drejt Italisë, ndërkohë që kanë udhëtuar edhe nëpërmjet Gjermanisë dhe Francës.
Operacioni i kapjes së dy trafikantëve ishte në fakt pjesë e një aksioni ndërkombëtar policor. Siç shkruan agjencia e lajmeve ANSA, dy shqiptarët ishin pjesë e një grupi ndërkombëtar të dedikuar në trafikimin e drogave.
Ky operacion vjen pas një hetimi të gjatë të kryer nga autoritetet belge ku në dhjetor 2020 shkatërruan një grup kriminal shqiptar, të bazuar në Grimbergen që merrej me trafikun e kokainës.
Ata e siguronin drogën në Kolumbi dhe e shpërndanin në territorin belg. Nga këtu, sasia e kokainës mund të shkonte në Gjermani, Francë dhe Itali duke përdorur mekanizma të ndryshme të përshtatura për të fshehur drogën.





