Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ka firmosur urdhrin për ndryshimin e strukturave në drejtoritë vendore të policisë në qarqe. Në baze të platformës së policimit dhe sigurisë në komunitet këto drejtori do të ndryshojnë sektorët e tyre. Ky ndryshim pritet të sjellë lëvizje në polici si edhe shkarkime për shkak të shkurtimeve të pozicionit. Ky projekt u pilotua fillimisht në drejtorinë e Policisë së Elbasanit.

Sipas strukturës se re, çdo drejtori vendore do të ketë drejtor dhe 2 nëndrejtorë, ku njeri do të mbulojë hetimin e krimeve ndërsa tjetri çështjet e rendit dhe sigurisë publike. ‘BalkanWeb’ raporton se disa prej sektorëve ekzistues do të shkrihen ose do të bashkohen në një sektor të vetëm në mënyrë të tillë që të ulet numri i punonjësve në nivel drejtues.

Po ashtu mësohet se do të shkrihen 3 sektorët e hetimit dhe krijohet sektori i vetëm që do të mbulojë çështjet e drogës, trafiqeve te paligjshme dhe krimit ekonomik që më parë ishin të ndarë. Sektori i Rendit do të ketë Sallën Operative Sektorin e Rendit dhe atë të Qarkullimit rrugor. Ndërkohë do të zgjerohet kompetenca e komisariateve të cilat do të merren edhe me veprën penale të vrasjes e cila më parë u kalonte drejtorive.

Territori i një komisariati do të ndahet në zona policore, ku do të rritet roli i inspektorit të zonës. Mes të tjerash ndryshime do të ketë dhe policine Rrugore, e cila do të ketë në varësi seksionet e policisë Rrugere. Ato nuk do kenë varësi nga komisariatet siç ishte më parë.