Ndeshja e Kupës së Shqipërisë mes Skënderbeut dhe Teutës është zhvilluar këtë mesjavë në kushte ekstreme në stadiumin e qytetit të Korçës. Një ndeshje që u mbyll me fitoren e durrsakëve, por ku për futboll nuk mund të bëhej fjalë.
Fusha e ngrirë, por edhe problemet me ambientet e brendshme të stadiumit me dushet e ngrira nga temperatura e ulët, bënë që në stadiumin e Skënderbeut të mos kishte, e të mos ketë ende, kushte për të luajtur futboll në këtë periudhë ngricash. Ndaj sot është vendosur që ndeshja e kampionatit, përsëri mes dy skuadrave, të zhvillohet në një ambient ku nuk ka probleme të tilla.
Ka qenë vetë klubi i Teutës i cili ka bërë të ditur se sfida ishte zhvendosur në “Elbasan Arena”.“KF TEUTA njofton se ka ndryshuar stadiumi ku do të luhet ndeshja e javës së 18-të të “Kategorisë Superiore”, Skënderbeu – Teuta. Ndeshja nuk do të luhet në Korçë, siç ishte parashikuar, por në “Elbasan Arena”.
Ky takim do luhet ditën e hënë në orën 16:45. Zhvendosja e ndeshjes Skënderbeu -Teuta është bërë për shkak të kushteve atmosferike dhe dëborës së dendur që e bën të pamundur zhvillimin e takimit në “Stadiumin Skënderbeu””, shkruante klubi durrsak.





