Ata që e panë videon atë kohë e mbajnë mend se si u zhvillua ndeshja e Kategorisë së Dytë, Përmeti-Labëria.
Fusha u kthye në ‘liqen’ ndërsa futbollistët shkelmonin topin që ikte kututu.
Pamjet u bënë menjëherë virale dhe objekt memesh në rrjetet sociale.
Ndërkohë Përmeti është rikthyer sërish në skenë, por kësaj here në lidhje me disa gërmime që kanë nisur në aneksin e stadiumit.
Mësohet se autoritetet greke po punojnë për të hapur një tjetër varrezë masive, pasi dyshohet se gjenden eshtrat e ushtarëve grekë, që nga koha e Luftës së Dytë Botërore gjatë luftës italo-greke. Kërkimet kanë nisur që prej të hënës dhe komisioni i përbashkët greko-shqiptar ka urdhëruar hapjen e një parcele të pozicionuar përbri stadiumit të qytetit të Përmetit.
Dyshohet se në këtë parcelë me sipërfaqe 80×40 metra, gjenden të paktën eshtret e 100 ushtarëve grekë.
Por problemi është se në këtë fushë stërviten ekipet e moshave të Përmetit, konkretisht ato U-13 dhe U-15. Nga klubi t honë se nuk janë lajmëruar fare për këto gërmime.
Në lidhje me këtë, ka folur edhe kapiteni i skuadrës Erald Karalliu.
“Kemi qenë në dijeni se do bëheshin gërmime afër stadiumit, por jo aq afër.
Sot (dje) po shkonim në stërvitje dhe pamë që një pjesë e aneksit ishte rrethuar dhe kishin nisur punën punonjës të bashkisë.
U habitëm në fakt, pasi nuk e prisnim që të gërmohej pikërisht në aneks dhe në pjesën e pasme të shkallëve.
U interesuam dhe na thanë se kanë marrë leje nga qeveria dhe pushteti lokal”- tha Karalliu.