Spahiu: Grisni xhaketat e vjetra e të njollosura të politikës shqiptare
DURRËS, 8 maj 2013– Aleanca Kuq e Zi ka çelur zyrtarisht fushatën elektorale në Durrës me prezantimin e 13 kandidatëve të saj në nivel qarku. Injorantë dhe bixhozçinj janë cilësuar kandidatët që kryesojnë listat e dy forcave kryesore politike nga kreu i AK-së Kreshnik Spahiu, i cili u shpreh se 40 ditët e fushatës do të shënojnë dhe të 40-at e regjimit të urryer të shtetasit Sali Berisha.
Duke prezantuar kandidatin për deputet Prof.Dr. Lisen Bashkurti që kryeson listën e qarkut Durrës, Spahiu sulmoi kandidatët e dy forcave kryesore të cilët i etiketoi si bixhozçinjtë më të urryer në klasën politike shqiptare. Nuk ka munguar as një bejte kushtuar deputetit dhe ministrit Halimi që kryeson listën e PD-së: „Ti Halim që s’di këndim, erdhi koha për largim. Durrsakët duhet të dinë të dallojnë mes Klosit e kosit, mes Halimit e këndimit.“
Më tej, duke deklaruar se Durrësi është kryeqyteti de facto i Shqipërisë etnike, ai ftoi durrsakët të ndëshkojnë me votë, „të heqin e të grisin xhaketat e vjetra“ të politikës shqiptare, për t’i dhënë Kuvendit gjak të ri e të pastër. Ai deklaroi se Aleanca Kuq e Zi do të mbyllë kazinotë dhe pikat e llotove, që kanë mbirë ngado nëpër Durrës, për ta kthyer qarkun në zemrën dhe krenarinë e kombit shqiptar, të 10 milion shqiptarëve, ashtu siç e meriton.Përveç forcave politike kryesore, Spahiu ka sulmuar dhe median e blerë nga Berisha dhe Rama, që ka mbyllur ekranet dhe gazetat për Aleancën Kuq e Zi dhe veprimtarinë e saj.Kandidati Lisen Bashkurti e përqëndroi fjalën e tij në nota patriotizmi dhe ftoi ndërgjegjen qytetare të elektoratit durrsak e krutan për të nxjerrë në pah vlerat dhe sjellë ndryshimin, nën sloganin: „Besimi te Zoti dhe Shqipëria“ si lajtmotiv që përshkon Aleancën Kuq e Zi të shqiptarëve.
Takimi ka vijuar me prezantimin e kandidatëve të tjerë, duke vijuar me Rezarta Elezin, Ardian Ndreun, Elona Minën, Stefan Çerrin etj, të cilët u cilësuan si një ekip sfidant dhe me duar të pastra përballë emrave të përbaltur, që përfaqësojnë PD-në dhe PS-në.





