·         Një vështrim ndryshe i portalit amerikan të specializuar “oliveoiltimes.com”

TIRANË, 2 qershor 2013 – Fushata elektorale në Shqipëri po “lyhet” me vaj ulliri, portali amerikan i specializuar për vajin e ullirit “oliveoiltimes.com” ka botuar shkrimin “Vaji i ulliri dhe problemi i zgjedhjeve në Shqipëri”.

Autori i shkrimit, Mihal Angjelopulos (Michael Angelopoulos), i mbështetur në burimet e partisë në pushtet (sajtet e qeverisë) dhe USAID-it, përmend se “dy kandidatë kryesorë do të konkurrojnë për t’u zgjedhur Kryeministër më 23 qershor. Edi Rama, kreu i Partisë Socialiste, po sfidon Sali Berishën, Kryeministrin aktual të vendit”.

Portali i specializuar vë dukje se “ndër çështjet kryesore të polemikave politike, së bashku me perspektivën e bashkimit me BE-në dhe politikën e pagave të qeverisë së re, shtrohet pyetja nëse Shqipëria duhet të investojë apo jo mjete të konsiderueshme në bujqësi, veçanërisht në industrinë e prodhimit të vajit të ullirit”.

Angjelopulosi shkruan më tej:

Bujqësia përbën vetëm 19 për qind të prodhimit të brendshëm bruto (PBB) të Shqipërisë, ndërkohë që më se 50 për qind e popullsisë banon ende në zonat rurale. Vendi, që laget nga deti Jon në pellgun e Mesdheut, është ideal për prodhimin e vajit të ullirit me cilësi të lartë.

Ndonëse në disa rajone malore dhe në lartësi të madhe, toka ndodhet në terren me shpate dhe poroze, sikurse do dhe vetë se ulliri. Era e lehtë perëndimore që vjen nga deti zbut temperaturën, ndërsa ndriçimi i stinës së verës siguron energjinë e nevojshme për sintezën e frutave.

Meqenëse Shqipëria nuk ka përvojë në tregjet ndërkombëtare, vaj i saj i ullirit është pak i njohur jashtë vendit. Për më tepër, ullishtat shpesh janë lënë pas dore, kjo dhe për faktin se të rinjtë shqiptarë kanë kërkuar punë në vendet fqinje si Italia dhe Greqia.

Sipas një studimi të realizuar në vitin 2009 nga organizata e USAID-it, prodhuesi tipik shqiptar i vajit të ullirit është mashkull, mosha 52 vjeç, me një familje prej 5 pjesëtarësh. Ai ka 1,47 hektar tokë, nga e cila 0,64 hektarë janë mbjellë me ullinj, duke prodhuar 1,01 tonë ullinj në vit.

Studimi argumenton mungesën e efikasitetit në prodhimin e vajit të ullirit, shkaktuar nga mungesa e investimeve në teknologjitë e reja dhe mosekzistenca e një bujqësie me rendimenti të lartë dhe intensiv. Megjithatë, theksohet se “ullinjtë përbëjnë një element të rëndësishëm të kulturës shqiptare”.

Gjatë udhëtimeve në zona bujqësore për t’u takuar me fermerët në fushatën zgjedhore, kryeministri Sali Berisha u kërkoi bashkatdhetarëve të tij të mbjellin ullinj, trashëgimia më e sigurt për t’u lënë nipërve dhe stërnipërve. “Ne kemi mbjellë 1540 hektarë ullishte”, tha ai, duke vlerësuar mandatin e tij si kryeministër.

Në të vërtetë, gjatë 10 viteve të fundit vlerësohet se u mbollën ullinj 2 milionë rrënjë ullinj. Megjithatë, prodhimi i vajit të ullirit është më pak se 12.000 tonë në vitet e vjeljeve të mira, kryesisht në zonat e Fierit, Vlorës, dhe midis Elbasanit dhe Tiranës, ndonëse nuk ka të dhëna të sakta.

Gati i gjitha prodhimi i ullirit është në Berat, dhe më shumë se 90 për qind takon varietetit “Kokërrmadh”.

Berisha ka deklaruar se ai dëshiron të shohë investimet në ullinj dhe rritja e prodhimit të vajit të ullirit: “Mund të mbjellim deri në 50 milionë rrënjë ullinj”. Ai kritikoi kundërshtarin e tij Rama: “Shoku Rama shkoi në Berat, çfarë ju tha në mënyrë absurde për të mos iu thënë ndryshe. Pse mbillni ullinj, keni mbushur shtëpitë, me to ja çdo bëni tani që ju mbetën pa shitur? Ndodh që prodhimi nuk të shitet një vit, por ai që i thotë tjetrit pse mbjell ullinj i thotë një fjalë shumë pa mend, kur merret me politikë e ka dyfish pa mend atë fjalë”.

Info/ USAID-i për vajin e ulliit

Në shtator 2012, u shpallën fituesit e konkursit të testimit të vajit të ullirit për vitin 2012.

Ky konkurs u mbështet nga USAID-i, me ndihmën e Këshillit Ndërkombëtar të Ullirit (IOC). Ceremonia ishte gjithashtu një mundësi për të njoftuar krijimin e Panelit Kombëtar Shqiptar, i pari panel zyrtar, për Testimin e Vajit të Ullirit. Krijimi i ketij paneli u bë i mundur pas trajnimeve për testimin shqisor (ang. Panel Test), financuar nga USAID-i në gjashtë vjet.

USAID-i ka ndihmuar në pajisjen e qendrës me mobilie dhe aparatura. Ky është një hap i rëndësishëm për Shqipërinë dhe për industrinë e vajit të ullirit drejt përmirësimit të cilësisë, marketingut, dhe njohjes ndërkombëtare të vajit të ullirit të Shqipërisë.

Teknologjitë e reja të prodhimit dhe strategjitë efektive marketingu që përfshijnë markimin u kanë mundësuar prodhuesve të vajit të ullirit synimin e tregjeve të segmenteve të larta për vajin e ullirit ekstra të virgjër cilësor.

Sipas USAID-it, ndërgjegjësimi mbi rëndësinë e cilësisë është thelbësor për krijimin e një zinxhiri vlere efikas dhe fitimprurës, i cili do të mbështesë rritjen e bizneseve të vogla dhe të mesme, do të krijojë punësim dhe do të reduktojë varfërinë në Shqipëri.

Në vitin 2008, u nderuan me medalje ari katër prodhues të vajit të ullirit shqiptar, anëtarë të Shoqatës Shqiptare të Vajit të Ullirit (AOA) që morën pjesë në Konferencën e 4-të të Vajit të Ullirit ‘Olive Split 2008’, të mbajtur më 23 shkurt në Split të Kroacisë. Konferenca pati për qëllim promovimin e vajit të ullirit cilësor në rajon.

USAID-i sponsorizoi vizitën e grupit shqiptar dhe organizoi takime me furnitorë të ndryshëm të teknologjive e të paketimit, si dhe me blerës të huaj.

Projekti “zhvillimi i ndërmarrjeve shqiptare dhe shërbimet e tregjeve të importeve” (EDEM) i USAID-it në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Vajit Ushqimor kanë zhvilluar fushatë për rritjen e konsumit të vajit të ullirit të prodhuar në vend, i cili tregtohet përmes kanaleve zyrtare të tregut.

Industria e vajit të ullirit në Shqipëri ka ndryshuar gjatë viteve të fundit. Paraprijës në këtë rrugë kanë qenë disa prodhues, të cilët kanë investuar në teknologjinë e nevojshme për të përmirësuar cilësinë e vajrave të tyre, kanë zhvilluar markën e kompanisë së tyre, kanë përdorur teknika marketingu dhe kanë arritur të marrin certifikim ndërkombëtar për vajrat ekstra të virgjër dhe ata organikë, thotë USAID.

Programi EDEM i USAID-it nxit konkurrencën e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në tregjet e brendshme e të jashtme dhe përshpejton hyrjen e eksporteve shqiptare, si vaji i ullirit, në tregjet botërore. Industria, e cila ka një potencial të madh rritjeje dhe krijimi i vendeve të punës, mund të përmirësojë potencialin e saj konkurrues duke përmirësuar cilësinë e produkteve, rritjen e reklamës tregtare në tregjet e brendshëm, rajonalë dhe të Bashkimit Evropian, si dhe të rrisë përdorimin e kërkimit të tregut.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/