NGA ENI VASILI
Në emisionin e parë të programit politik “Studio e Hapur” në “News 24”, kreu i opozitës, Lulzim Basha, dha të martën që shkoi intervistën e tij të parë për sezonin e ri mediatik. Një intervistë e cila gjeti pasqyrim e jehonë si përpara e aq më shumë pas saj. Thuajse të gjitha portalet më të rëndësishme në vend gjatë së martës hamendësuan për temat e debatit, por edhe aluduan për “bombat” që do të hidheshin gjatë intervistës. Mediatikisht kjo ishte e pritshme, pasi ishte intervista e parë e kreut të opozitës pas një votimi të rëndësishëm në Parlament siç ishte ligji i vetingut, por edhe në prag të zgjedhjeve në Dibër.
Në dy orë të plota transmetimi, Lulzim Basha i përmbushi të gjitha pritshmëritë dhe shkoi përtej tyre. Pasi kërkoi dorëheqjen e ministres Nikolla për krizën e Maturës Shtetërore, pasi “kërcënoi” gjithkënd që do të prekte votën demokrate në Dibër dhe akuzoi edhe një herë qeverinë për lidhjet me drogën e krimin, Basha nuk ngurroi të akuzonte politikën dhe median si autorë telenovelash turke në përgjigje të pyetjes se përse në diskutimin e tij politik nuk përdoret më togfjalëshi “dyshja Rama-Meta”, në aludim të faktit se tashmë ekziston një marrëveshje e fshehtë BashaMeta.
Nëse ka një të përbashkët mes politikës shqiptare dhe telenovelave turke, sigurisht nuk është as suksesi dhe as pëlqyeshmëria, pasi këto të fundit kanë përmbytur tregun europian dhe janë sot ndër më të kuotuarat në bursën e produksioneve televizive. Madje po të pyesësh distributorët turq, ata nuk pranojnë se prodhojnë telenovela, por seriale televizive. Një zhanër modern, trashëgimtarë të serialeve kinematografike që lindën në Amerikën e viteve ‘30. Telenovelat turke trajtojnë histori të së përditshmes dhe kryesisht shquhen për skenarë shumë të mirë, dramat të forta dhe një lloj konservatorizmi moralizues.
Politika shqiptare pëlqehet gjithmonë e më pak nga publiku i saj besimhumbur, ndërsa po të flasim për moralin tema do të ishte thuajse e pavend. Nëse do të kishte vend për paralelizëm me telenovelat, politika shqiptare do t’i ngjante më shumë soap opera-ve amerikane, po citoj më të njohurën në anët tona “Beautiful”, një telenovelë 30-vjeçare gati njësoj në moshë me klasën politike postdiktaturë. Në këto lloj filmash të njëjtët protagonistë dashurohen e tradhtohen me mijëra herë, pa u lodhur dhe pa u zhgënjyer kurrë, për sa kohë kjo formulë e lejon telenovelën të vazhdojë.
Realisht, në dy orë intervistë Lulzim Basha e amnistoi Ilir Metën thuajse nga çdo përgjegjësi për qeverisjen katastrofike të vendit siç e quajti ai, duke e cilësuar atë thjesht si përgjegjës për mbajtjen në këmbë të qeverisë, duke i vënë në dispozicion numrat në Parlament. Basha mohoi të ketë lënë një bisedë të hapur me Ilir Metën për pakte të reja politike, por u deklarua jo i zhgënjyer nga qëndrimi i Ilir Metës për ligjin e vetingut, duke e quajtur një qëndrim natyral të një aleati në qeverisje.
I pyetur për aleancat parazgjedhore për zgjedhjet e 2017-s, Lulzim Basha, edhe pse me një gjuhë të drunjtë thuajse elektorale, në një paragraf veshur me kushte vlerash dhe katarsis e përfshiu Ilir Metën në mundësinë e parakoalicioneve elektorale për 2017. “Ajo që kërkon Shqipëria është një koalicion vlerash. Kërkojmë të fuqizojmë pushtetin e qytetarëve dhe jo të zullumqarëve. Kjo vlen për çdo parti, duke përfshirë edhe Ilir Metën, meqenëse e përmendët”.
Kjo deklaratë shënon fillimin e fushatës elektorale për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke mundësuar ndryshimin edhe një herë të konfigurimeve politike, aleancave fluide, kulisave të fshehta dhe llogarive të numrave dhe votave për hambarin e çdo partie dhe koalicioni. Ilir Meta mbetet burri i “mikluar” i politikës.
Po të shtojmë këtu edhe deklaratën e Sali Berishës se “Bashkëpunimi i PD-së me LSI-në varet nga rezultatet elektorale dhe shumë faktorë të tjerë, por nuk mund ta mohoj që këto dy parti kanë një traditë bashkëpunimi”, mund të thuhet që aleanca e re ka edhe bekimin e kryetarit të vjetër të PD-së. A do të hyjë Ilir Meta në derën që la të hapur Lulzim Basha? Ilir Meta, sipas gjasave, do ta japë përgjigjen e tij shumë shpejt po këtë javë nga një studio tjetër televizive. Amerikane apo turke, një gjë është e saktë. Telenovela vazhdon…





