Kryeministri Edi Rama do jetë në Londër javën që vjen, më 24 nëntor.

Ai do të takohet me shqiptarët që jetojnë në shtetin ishull, ndërsa vijon turin në disa qytete ku jetojnë shqiptarë.

Kreu i qeverisë zhvilloi takime në Milano dhe Athinë gjatë javëve të fundit, ndërsa u prit nga mijëra mbështetës.

Nga ana tjetër edhe kreu i Partisë Demokratike do të zhvillojë takime online me qytetarët që jetojë jashtë kufijve.

Në pamundësi për të qenë fizikisht, pasi ndodhet në arrest shtëpie dhe i shpallur ‘non grata’ nga Anglia, Berisha shkruan se do të jetë online, ndërsa fton shqiptarët të bëhen pjesë e takimit i cili do të zhvillohet më 17 nëntor në adresën Walthamstow, Siddeley Road, London E17.

Atje do t’i mirëpresë Floriana Garo, anëtare e Kryesisë, Alfred Lela, Drejtor i Komunikimit dhe Besart Xhaferri, Kryetar i FRPD.

“Ju ftoj të na ndiqni në takimin të organizuar nga Dega e PD-së në Londër dhe aktivistë të diasporës. Do të jem në lidhje live me ju, ndërkohë në takim në adresën më poshtë ju mirëpret Floriana Garo -anëtare e Kryesisë, Alfred Lela -Drejtor i Komunikimit dhe Besart Xhaferri- Kryetar i FRPD.

E diel, 17 nëntor 2024, @ 1 PM, Adresa: Walthamstow, Siddeley Road, London E17

Ky takim është një mundësi e shkëlqyer për të gjithë shqiptarët e diasporës që të bëhen pjesë e diskutimeve tona mbi çështjet e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë. #DiasporaZgjedhAtdheun”, shkruan Berisha në faqen e tij zyrtare.