Të rinjtë me aftësi ndryshe ishin në fokus të aktivitetit "Panairi i Ideve – Fushata Zbulo Veten", i cili u zhvillua në hollin e Pallatit të Kulturës "Aleksandër Moisiu" .
Institucionet, qendrat dhe shoqatat e pranishme në takim parashtruan rëndësinë e rolit të tyre në ndërgjegjësimin e komunitetit dhe aplikimin e qasjeve gjithëpërfshirëse për fuqizimin social – ekonomik të të rinjve me aftësi speciale.
Gjithashtu studentët e UAMD prezantuan projekt-idetë e hartuara në bashkëpunim me të rinjtë me aftësi ndryshe, në kuadër të fushatës "Zbulo Veten", që i jep përparësi aksesit në informacion dhe shërbime për këtë kategori.
30 është numri i të rinjve të përfshirë në këtë projekt, ndërkohë që është e vështirë të përcaktohet sa është numri i të rinjve me aftësi ndryshe në bashkinë Durrës, pasi llogaritet në bazë të grupmoshave.
Gjatë aktivitetit, të rinjtë dhe fëmijët me aftësi ndryshe prezantuan krijimtarinë e tyre artistike, me fokus diversitetin si vlerë sociale. Takimi u mbyll me interpretimet e disa pjesë muzikore në flaut, kitarë, violinë dhe klarinetë nga nxënësit e shkollës së mesme artistike "Jan Kukuzeli".





