BE ka një imazh gjithnjë e më të keq në Serbi, ndaj “rruga evropiane” nuk është më moto e partive në fushatë. Kosova është sërish një nga temat kryesore.


Dy javë para zgjedhjeve, është e qartë se çështja e “rrugës evropiane” të Serbisë nuk luan pothuajse asnjë rol në fushatë. Nga ana tjetër, tema e Kosovës është në krye të prioriteteve dhe as autoritetet nuk mund ta shmangin atë, edhe nëse do të dëshironin. Këto dy gjëra, që flitet pak për BE-në dhe shumë për Kosovën, janë të lidhura ngushtë mes vete, thonë bashkëbiseduesit e DW.

“Regjimi thjesht nuk mund të ndikojë në disa gjëra”, thotë historiani dhe politologu Stefan Radojkoviç. Çështja e Kosovës po merr një hapësirë ​​të madhe në fushatë, kryesisht për shkak se SHBA-ja dhe BE-ja po “ushtrojnë presion” këtë vit përmes marrëveshjeve të paraqitura në Bruksel dhe Ohër, duke thënë hapur se presin një njohje de facto të pavarësisë së Kosovës nga Beogradi, thotë Radojkoviç.

“Ata insistuan në planin franko-gjerman, i cili për pasojë u bë shumë i pranishëm në mediat serbe”, thotë ai për DW. Gjithashtu, qëndrimi i Albin Kurtit ndaj komunitetit serb është i tillë që edhe mediat kryesore në Serbi duhet t’i kushtojnë hapësirë.

Kosova dhe temat e përditshme

Një thënie e vjetër e analistëve dhe anketuesve në sondazhe, e cila përsëritet nga fushata në fushatë, është se Kosova është më pak e rëndësishme për votuesin mesatar sesa çështjet e “jetës së përditshme”. Por në një moment çështja e Kosovës imponohet si më e rëndësishmja.

“Prioriteti i votuesit është lufta kundër papunësisë, standardi më i mirë i jetës dhe stabiliteti ekonomik”, thotë Aleksandar Ivkoviç nga Qendra për Politikë Bashkëkohore.

“Lufta kundër korrupsionit dhe krimit është në vendin e dytë, ndërsa Kosova në vendin e tretë, nëse në Kosovë nuk shpërthen kriza. Por pikërisht në raste të tilla rritet interesimi për këtë temë”, tha Ivkoviq për gazetën “Blic”.

Për këto çështje “jetike” insiston edhe në këtë fushatë qeveria e Aleksandar Vuçiçit. Në takimin e madh parazgjedhor në Arenën e Beogradit, në fjalime përsëri u përmendën më shpesh rrugët, hekurudhat, stadiumet, vendet e punës dhe pagat. Por, asnjë nga folësit, sidomos Vuçiç, nuk harroi të flasë për “mbrojtjen e integritetit territorial”, duke thënë se “nuk do ta pranojë kurrë pavarësinë e Kosovës”.

Sipas Stefan Radojkoviç, qeveria u godit nga një “stuhi” që mund të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve. Së pari, lufta në Ukrainë solli presion të madh, e më pas nisi rritje të çmimeve që prekin qytetarët. E presioni vazhdon edhe për “zgjidhjen” e çështjes së Kosovës.

Radojkoviç thotë se partitë e djathta e kanë nuhatur këtë si një moto për të fituar pikë në fushatë. “Nëse partitë e djathta ose konservatore morën disa vota vitin e kaluar për çështjen e luftës në Ukrainë – në të cilën Serbia nuk ka asnjë rol – atëherë në mënyrë të pashmangshme del edhe çështja e Kosovës, e cila është shumë më afër”, thotë Radojkoviç.

“Është gjithashtu e qartë së shumica e votuesve kanë qëndrime negative ndaj çdo propozimi perëndimor,” shton ai.

Zgjedhësit e Vuçiçit

Shumë vëzhgues e interpretuan edhe kthimin e ish-presidentit Tomislav Nikoliç në fushatën e Partisë Përparimtare Serbe si një përpjekje për të rikthyer votuesit e lëkundur të SNS. Sepse, shikuar nga sondazhet, Vuçiç nuk i ka kartat më të fuqishme në dorë, kur është fjala për temën e Kosovës.

Sipas një sondazhi të bërë në tetor nga New Serbian Political Thought (NSPM), vetëm 14 për qind e votuesve besojnë se “pozita e Serbisë dhe serbëve” në Kosovë është më e fortë me këtë qeveri në Beograd, ndërsa rreth 50 për qind mendojnë se është më e dobët.

“Shumë thonë se elektorati i Vuçiçit është korruptuar në një farë mënyre. Por ai megjithatë është i ankoruar në spektrin e djathtë”, thotë Radojkoviç. “Ata gjithashtu kanë njëfarë pasigurie në lidhje me politikën e Vuçiçit për Kosovën – ku ka shumë të panjohura”.

Radojkoviç vëren se edhe lista pro-evropiane “Serbia kundër dhunës” ka mbajtur qëndrim më të ashpër ndaj Kosovës. Radojkoviç i referohet raportit të fundit të DW për vizitën e përfaqësuesve të kësaj liste pro-evropiane në Berlin.

Aty Borko Stefanoviç (SSP) ka thënë se ky koalicion do të ruajë “pikëpamjen kushtetuese” të Kosovës dhe se nuk është i detyruar të mbajë premtimet që Vuçiq u ka dhënë përfaqësuesve evropianë me dyer të mbyllura.

Kosova është një lloj “pule e artë” në fushatën e shumë partive, ndërsa për listën më të fortë qytetare ndër temat e fuqishme janë edhe çështjet e dhunës, krimit dhe korrupsionit, e deri tek varfërimi i qytetarëve.

BE është një temë për “kamikazët”

Burimet e DW thonë se partitë janë të vetëdijshme se Bashkimi Evropian nuk është temë e mirë që sjell pikë në fushatë. Sepse rruga drejt BE-së po zgjat shumë, e politikanët evropianë shumë shpesh e mbështesin Aleksandar Vuçiçin në këto çështje. Ndërkohë që tani politikanët kryesorë nga BE-ja po kërkojnë haptazi njohjen de fakto të Kosovës.

Politologu Srgjan Cvijiç, një ekspert i mirë i Bashkimit Evropian, thotë se vetëm një “kamikaz politik” do ta kishte çështjen e anëtarësimit në BE në krye të fushatës. “Sepse të gjitha mediat nën kontrollin e regjimit janë anti-BE dhe antiperëndimore. Çfarë do t’i sillte një partie opozitare kacafytja me tabloidet e Vuçiçit?”, tha Cvijiç për DW.

“BE-ja nuk është temë e rëndësishme e fushatës. Mund të jetë tronditëse për dikë nga jashtë, por nuk është. Ka shumë çështje të tjera më urgjente në rend dite”, thotë ai, duke përmendur shembujt e krimit, dhunës dhe çështje të tjera që nxitën protesta masive pranverën e kaluar.

Ndërsa çështa e BE në sondazhe nuk ka qenë kurrë më keq. Sipas NSPM, vetëm 39 për qind e qytetarëve mbështesin anëtarësimin e Serbisë në BE, ndërsa 51 për qind janë kundër.

A ka ndonjë tjetër rrugë evropiane?

Shumë gjëra tregojnë se Beogradi zyrtar nuk po shkon më drejt BE-së. Sipas raportit të publikuar nga Ministria e Integrimeve Evropiane, nga vera e vitit 2022 deri në verën e vitit 2023, Serbia ka miratuar vetëm 27 për qind të rregulloreve të planifikuara ligjore të kërkuara nga BE. Pas ardhjes në pushtet të SNS-së, në gjysmën e parë të vitit 2013, janë miratuar rreth 85 për qind e rregulloreve. Gazetari Boshko Jakshiç mendon, se “një pjesë e përgjegjësisë, jo e vogël, i takon edhe Bashkimit Evropian”.

“Perëndimi po nxiton të normalizojë marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës. Gjithçka tjetër është për ta e parëndësishme”, përfundon Jakshiç./DW