Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës (MPJD) tha se Serbia po zhvillon “propagandë dhe fushatë” kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, që “është jashtëzakonisht e egër”.
Sipas MPJD-së, këto veprime të Beogradit janë në kundërshtim të plotë të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, që Kosova dhe Serbia arritën vitin e kaluar.
Sipas nenit 4 të kësaj marrëveshjeje, Serbia nuk duhet ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.
Megjithatë, së fundi autoritetet serbe kanë formuar një ekip, ku marrin pjesë institucionet shtetërore, për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatën e Këshillit të Evropës.
“Shprehim bindjen tonë se shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, vendimin e tyre do ta marrin jo bazuar në këtë propagandë, por bazuar në kriteret dhe parimet mbi të cilat është ndërtuar Këshilli i Evropës”, tha MJPD-ja përmes një njoftimi për media.
MPJD-ja ka njoftuar se kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, dhe zëvendësi i saj, Kreshnik Ahmeti, gjenden në Strasburg, ku më 16 prill, në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës do të votohet për aplikimin e Kosovës në Këshill.
Gërvalla dhe Ahmeti do të zhvillojnë “takime dhe për të koordinuar veprimet e fundit me partnerët dhe aleatët, të cilët po e mbështesin Republikën e Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare”, tha MPJD-ja.
Më 27 mars, në Komitetin për Politikë dhe Demokraci u votua raporti i raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, që thoshte se Kosova ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e kësaj organizate. Pas kësaj, raporti duhet të debatohet dhe votohet në Asamblenë Parlamentare, ndërkaq nëse aty kalohet, çështja shkon në Këshillin e Ministrave të Këshillit të Evropës që mblidhet në maj, i cili jep fjalën përfundimtare. MPJD-ja tha se në Asamblenë e Përgjithshme kërkohen 2/3 e votave që çështja t’i rekomandohet Këshillit Ministror.
“Pas këtij votimi, për anëtarësimin e plotë të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës do të mbetej vetëm edhe hapi i fundit, i cili do të ishte vendimi i Këshillit Ministror. Mundësia e parë për marrjen e këtij vendimi do të ishte takimi më 16 maj të këtij viti”, u tha në njoftim.
Vuçiç thotë se “beteja kryesore” do të jetë më 16 maj
Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha më 15 prill se në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës pritet të kalojë votimi për raportin për Kosovën.
Megjithatë, ai tha se “beteja kryesore” me gjasë do të jetë në maj, gjatë takimit të Këshillit Ministror.
“Tani kanë bërë një trik të ri dhe unë dua t’i njoftoj qytetarët për të. Më 10 maj do të thonë se janë duke e dërguar aktin [statutin për Asociacionin] e evropianëve në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë për të gjetur një arsye të mjaftueshme që të thonë se është iniciuar një proces për Asociacionin, por në fakt asgjë nuk është iniciuar. Pastaj do të na thonë se kjo është arsyeja që të votohet për Kosovën në Këshillin e Evropës”, tha Vuçiç.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe më 2013, por ai ende nuk është themeluar, teksa Qeveria në Kosovë është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.
Ndryshe, Kosova ka aplikuar në majin e vitit 2022 për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Këshilli i Evropës është organizatë lidere në Evropë në fushën e të drejtave të njeriut. Pjesë e tij janë 46 shtete, përfshirë 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendet e rajonit. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut – me seli në Strasburg, Francë – bën monitorimin e zbatimit të Konventës Evropiane për të Drejta të Njeriut.