Realizohet operacioni në Itali i 19-vjeçarit nga Durrësi, Ilson Ruska, i cili rrezikonte të mbetej i paralizuar.

Balerini Andi Dahri jep lajmin e mirë për të gjithë dashamirësit e Ilsonit dhe qytetarët e Durrësit që kontribuuan në shuma monetare për këtë mision human.

Falë një fushate sensibilizimi dhe apelit për ndihmë në portalin DurrësLajm është bërë e mundur mbledhja e shumës prej 10 mijë euro, për realizimin e operacionit në një spital në Itali.

Qytetarë të ndryshëm dhe figura publike u angazhuan për të mbledhur shumën e nevojshme, për t’i ardhur në ndihmë të riut, 19-vjeçar.

Pak ditë më parë, mamaja e Ilsonit, Adelina, deklaroi se familja nuk ka mundësi ekonomike për të përballuar koston e ndërhyrjes kirurgjikale.

Në mbështetje të saj, ka qenë edhe kampionja e Atletikës, Luiza Gega, e cila së bashku me një nga iniciatorët e kësaj nisme, balerini nga Durrësi Andi Dahri, kanë realizuar një spot sensibilizimi në qendër të Durrësit, nga ku përcollën mesazhin për të ndalur dhunën dhe të gjithë mund të guxojmë për të shpëtuar një jetë.

Ilsoni ka rënë pre e një plagosjeje me thikë në Durrës rreth një muaj e gjysmë më parë, një konflikt ky nga i cili rrezikon tashmë të humbasë dëgjimin edhe shikimin.