Në ditën ndërkombëtare të diabetit, drejtoria rajonale e Shëndetit Publik dhe spitali i Durrësit ka organizuar për herë të parë një fushatë sensibilizuese për këtë sëmundje që vitet e fundit ka prekur një numër të madh pacientësh.

Megjithëse sipas statistikave spitalore në rrethin tonë numërohen rreth 4300 të sëmurë me diabet, bluzat e bardha deklarojnë se ky numër mund të jetë dyfish më i lartë.

Sipas mjekut Eduart Spahiu të prekur me diabet në qarkun e Durrësit mendohet se janë më shumë se 8000 persona. Sensibilizimi i personave që mund të jenë prekur nga diabeti, por që ende nuk e dinë do të ndikojë në parandalimin e avancimit të sëmundjes. Sipas mjekut Suvoroz Zervoi rreth 25% e të prekurve nga diabeti nuk e dinë se vuajnë nga kjo sëmundje.

Pranë tendës së ngritur në sheshin Liria, pranë shatërvanit të qytetit, stafi mjekësor i spitalit ofroi falas për të gjithë të interesuarit analizën e glicemisë, e njohur ndryshe edhe si matja e nivelit të sheqerit në gjak.

Krahas kësaj qytetarëve iu shpërndanë edhe fletë palosje ku përveç simptomave që paraqet sëmundja sqaroheshin edhe shumë nga hapat dhe veprimet që duhet të ndjekin qytetarët për të garantuar një mbarëvajtjen e shëndetit të tyre.

Mjeku Zervoi nënvizoi faktin se qytetarët duhet të ushqehen në mënyrë të shëndetshme dhe të ushtrojnë aktivitet fizik për të parandaluar prekjen nga kjo sëmundje.