DURRËS, 22 shkurt 2015 – Sërish Fushë-Kruja del në titujt kryesorë të lajmeve për atentatet me tritol, ndërkohë, fatmirësisht, në rastin e fundit lënda plasëse nuk shpërtheu.
Drejtoria e policisë së shtetit e qarkut të Durrës-Krujës njofton se të dielën, më 22 shkurt 2015, rreth orës 8:15 të mëngjesit, në lagjen “Grumbullimi” të qytetit të Fushë-Krujës, afër pallatit të shtetasit Durim Bani, i cili ka parkuar një fuoristradë BMW X5 me targë AA 858 IS, në rrotën e përparme nga krahu i shoferit janë u konstatuan disa fije teli të veshura, që lidheshin me 400 gram tritol. Pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë shkuar forca të policisë.
Pastaj forcat xheniere në Policinë e Shtetit kanë çaktivizuar lëndën plasëse.
Grupi hetimor ka nisur punën për të zbardhur autorësinë dhe motivet e kësaj ngjarjeje kriminale, pasojat e së cilës u arritën të parandalohen në kohë. Grupi e ka përqendruar pistën e hetimeve me të kaluarën e shënjestrës së eksplozivit të fuqishëm. Mësohet se Durim Bani është person me precedentë të mëparshëm penalë, por nuk japin informacion për rastet e përfshirjes së tij.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





