Fushë Krujë, 9 mars 2014 – Dy shpërthime me eksploziv janë regjistruar gjatë natës së të shtunës në Fushë – Krujë. Sipas policisë, shpërthimet kanë ndodhur në fshatin Arameras dhe Larushkë. Mësohet se është identifikuar personi përgjegjës për të dy shpërthimet, i cili është Ilir Hykja, 40 vjeç. Fatmirësisht nga dy shpërthimet nuk ka persona të lënduar. Shënjestrat e shpërthimeve kanë qenë të ndryshëm. Siç bën të ditur policia, në fshatin Arameras është dëmtuar një makinë e llojit “Benz ML” ndërsa në fshatin Larushkë është dëmtuar një banesë. Mësohet se banesa ka disa dëmtime pjesore të saj. Forcat e policisë po punojnë për të lokalizuar vendin ku fshihet autori i dyshuar i sulmeve dhe për të zbardhur shkaqet e ngjarjes. 

Shpërthimet me eksploziv në Fushë Krujë janë kthyer në një fenomen shqetësues. Dy ditë më parë Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe kreu i Policisë së Shtetit Artan Didi inspektuan Komisariatin e Policisë së Fushë-Krujës, i cili është sulmuar dy herë me eksploziv brenda një muaji e gjysmë. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/