FUSHE KRUJE, 05 mars 2013 – Duke e cilësuar gjendjen e rrugëve në vend si skandaloze dhe me pasoja tragjike për jetën e qytetarëve, Partia Socialiste është ndalur në Fushë Krujë për të prezantuar programin e saj “Për një Rilindje shqiptare” për ta ndryshuar këtë situatë.

Gjatë fjalës së tij në këtë takim kryetari i PS-së, Edi Rama bëri një përshkrim të asaj që e cilëson si situatë tragjike në rrugë dhe papërgjegjshmërisë së qeverisë përballë saj. 

“Kanë ngritur një komitet, e quajnë komiteti ndërministror për sigurinë rrugore, që e kryeson kryeministri. Në tetë vjet, ky komitet është mbledhur vetëm njëherë, në vitin 2006 dhe ndërkohë çdo ditë sipas statistikave, çdo ditë një shqiptar vdes në rrugë dhe tre të tjerë plagosen. Për sa kohë që qeveria nuk do kuptojë ose do bëjë sikur nuk kupton që numri i madh i aksidenteve nuk është i lidhur me policinë apo me qytetarin, por është i lidhur me gjendjen fizike të rrugëve, kjo gjendje nuk mund të përmirësohet. Sot Shqipëria nuk ka asnjë metër rrugë të certifikuar dhe të plotësuar sipas standardeve evropiane.”- u shpreh Rama. 

Më tej kreu socialist u ndal konkretisht në atë se çfarë do të bëjë Partia Socialiste për ta ndryshuar këtë situatë.