– Skuadra finaliste, ndeshje miqësore me kombëtaren shqiptare të formuar nga lojtarë të njohur në vite
DURRËS, 26 shtator 2014 – Rehabilitimi i të dënuarve dhe thyerja e monotonisë nëpër burgje (sot përdoret togfjalëshi i gjatë: institucione të ekzekutimit të vendimit penal), vjen dhe nga organizimi i veprimtarive sportive dhe kulturore, formë pune perëndimore në sistemin penitenciar).
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve (DPB), me mbështetjen e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, organizoi më 25 shtator 2014 në IEVP (institucioni i ekzekutimit të vendimit penal) Fushë-Krujë hapjen e Kampionatit të Futbollit në IEVP, njoftoi Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Në këtë kampionat marrin pjesë 14 skuadra nga IEVP-të “Ali Demi”, Fushë- Krujë, Vaqarr, “Jordan Misja”, Lushnjë, Peqin, Lezhë, Rrogozhinë, Elbasan, Burrel, “Mine Peza”, Durrës, Vlorë dhe Korçë.
Ndeshjet do të zhvillohen në IEVP të ndryshme, ndërkohë që kjo është një nismë e re e DPB-së në funksion të procesit rehabilitues dhe pasurimit të jetës kulturore- sportive në IEVP.
Në aktivitet morën pjesë drejtori i përgjithshëm i burgjeve z. Artur Zoto; sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik Shqiptar z. Millan Baçi, si dhe disa drejtues të tjerë të IEVP-ve, pjesë e kampionatit.
Kryegardiani i Shqipërisë z. Artur Zoto deklaroi para të pranishmëve:
“Është një kënaqësi që po nisim sot një aktivitet të tillë, i cili do të vendosë përballë ekipe të ndryshme nga disa IEVP të vendit. Ky kampionat futbolli bëhet në kuadër të disa veprimtarive të reja që Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka ndërmarrë, ku fokusi është tek zhvillimi i aftësimit sportiv e profesional të të burgosurve. Falënderoj për mbështetjen me bazën materiale Federatën Shqiptare të Futbollit. Gjithashtu, përfitoj nga rasti që të prezantoj për ju edhe këshilltarin anglez të burgjeve, i cili i atashohet DPB dhe do të qëndrojë në Shqipëri për të dhënë ekspertizën e tij në sistemin penitenciar”.
Ndeshja e parë u mbyll me rezultatin 8- 4 për ekipin e IEVP-së së Fushë-Krujës, duke skualifikuar ekipin e IEVP-së “Ali Demi” të Tiranës.
Gjatë ndeshjes nuk ka munguar mbështetja e ekipeve nga stafi social i secilit institucion, që ishin të pranishëm në aktivitet, si dhe nga vetë të burgosurit.
Kampionati do të zgjasë edhe gjatë tetorit, për t’u finalizuar me një ekip fitues nga të gjitha ekipet e IEV Penale të vendit.
Skuadra fituese do të zhvillojë një ndeshje miqësore me përfaqësuesen kombëtare të futbollit në stadiumin “Selman Stërmasi”, Tiranë, ku do të marrin pjesë emrat më të njohur të futbollit shqiptar ndër vite, tha DPB-ja.
/përgatiti th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





