Asambleja e Federatës Shqiptare të Futbollit ka shpërndarë sot edhe disa çmime për ish-futbollistë të ndryshëm, duke i nderuar ata me titullin “Legjenda e Futbollit Shqiptar”. Një të tillë e ka marrë edhe Ylli Shehu, ish-sulmuesi i Partizanit dhe kombëtares kuqezi, tashmë në rolin e specialistit dhe trajnerit të futbollit.
Por, motivacioni që lexohet në pllakatën e tij vlerësuese është: “Për kontributin e dhënë si sulmues virtuoz me skuadrën e Tiranës dhe kombëtaren e Shqipërisë. Një nga emrat më të njohur të futbollit shqiptar në vitet 1980. Vazhdon të japë kontributin e tij edhe në trajningun shqiptar”.
Pra, sikurse shihet, FSHF ka bërë ish-sulmues të Tiranës një nga ikonat e Partizanit. Nuk dihet si është ndier vetë Ylli Shehu kur e ka parë këtë “lapsus”. I njëjti lapsus mësohet se është bërë edhe në pllakatën e Andrea Markos, i cili, po ashtu, rezulton si “sulmues i Tiranës”.