Sulmuesi i Sampdorias, Antonio Kasano, rrëfen eksperiencën e tij tek Roma dhe aventurën e tij në Madrid, duke lëshuar deklarata befasuese. “Periudha tek Roma ka qenë fantastike. Ëndërroja të luaja me një kampion si Françesko Toti, i cili më ka pranuar si mik në shtëpinë e tij për 6 muaj rresht,” – tha Kasano.

“Më pas miqësia jonë u prish pas një zënke banale. Tek Roma kam bërë gjëra që ende nuk i besoj se si mund t’i kem bërë. Njëherë vodha çelësat e qendrës stërvitore të Trigorias dhe i kam kthyer në 6 të mëngjesit. Askush nuk më “kryqëzoi” pasi ditën tjetër fituam 4-­0 kundër Juventusit dhe unë dhurova një nga paraqitjet më të mira të karrierës time,” – ka shtuar ai. “Reali? Tek klubi spanjoll ka qenë një çmenduri e vërtetë. Në fillim nuk mendova se do të isha pjesë e Realit, por kur ma ka thënë personalisht në telefon presidenti Perez, sa nuk më ra të fikët. Gjithsesi tek Reali kam zhgënjyer dhe kjo ka ndodhur vetëm për fajin tim. Në një klub si Reali ose shkon të kthehesh në kampion ose shkon për të bërë qejf. Unë zgjodha këtë të dytën. Shtova afro 10 kile, duke shkuar 98 kilogram, ndërsa shumicën e kohës e kaloja me femra, duke preferuar jetë seksuale të shfrenuar,” – tregon Kasano. “Nuk do të harroj kurrë mënyrën se si stërvitej Zinedin Zidan. Ai është një njeri i mrekullueshëm, i cili mendonte vetëm për sportin. Mendoj se do të kthehet në një trajner fantastik,” – thote sulmuesi i Sampdorias. “Per Italine, do të ëndërroja të merrja pjesë në Euro 2016, por të jem i sinqertë, në dy vitet e fundit nuk kam marrë asnjë telefonatë nga Antonio Konte,” – ka konkluduar Kasano.