Për mbrojtësin Elseid Hysaj, ndeshjet në grup, në Kampionatin Evropian të Futbollit Euro 2016, janë mjaft të vështira, por dhe angazhimi i ekipit do të jetë 100 përqind. “Kualifikimin e kemi të meritueshëm dhe përsa i përket skuadrave që kemi në grup do të luftojmë për të fituar. Ekipet e Francës dhe të Zvicrës janë shumë më të fortë dhe ndeshjet me to mjaft të vështira. Nuk kam asnjë konfirmim të ofertave apo për të lëvizur nga klubi ku ndodhem te Napoli,” – shprehet Hysaj.
Ndërsa Etrit Berisha, portieri i përfaqësueses sonë kombëtare ka komentuar edhe shpërthimet terroriste në Bruksel. “Ngjarje tragjike ajo çfarë ndodhi në Bruksel, por shpresojmë që këto situata të mos mbyllin dyert për tifozët pasi, në rast të kundërt, sporti do te jetë më i zbehtë. Kam përvojën e duhur dhe në ndeshjet e kombëtares kam dhënë maksimumin. Kombëtarja duhet t’i tregojë të gjithëve që ne do të japim maksimumin që të mos zhvillojmë tre ndeshje dhe të kthehemi në shtëpi, por të vijojmë më tej duke qenë dhe surpriza e radhës në këtë eveniment,” – tha Berisha.
Kombëtarja kuqezi është mbledhur në Durrës, për t’u përgatitur për disa ndeshje miqësore, të cilat do të shërbejnë si ndeshje kontrolli para Euro 2016.