Futbollistja me origjinë shqiptare, Kosovare Asllani është futur në histori, si e para lojtare që Reali i Madridit blen për ekipin e tij të femrave.

Lajmin e dha vetë sulmuesja 29-vjeçare në Instagramin e saj, ku nuk e fshehu krenarinë që drejtuesit e madrilenëve zgjodhën atë për të hedhur themelet e klubit.

Kosovare Asllani ka luajtur në karrierën e saj me skuadra si PSG, Manchester City dhe së fundi Linkoping, ndërsa përfaqëson kombëtaren suedeze, ku edhe cilësohet “Ibrahimoviç i futbollit të femrave”.

Vlen të theksojmë se vetëm pak ditë më parë, presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez bleu për 500 mijë euro klubin që garon në Primera Division-in e femrave, CD Tacon, të cilit do t’i ndërrojë logon dhe vitin e ardhshëm edhe emrin, për ta bërë pjesë të familjes së “Los Blancos”.