Nuk besoj të jemi të vonuar, për t’u ndalur në një dukuri krejt të veçantë shfaqur në Durrës në vitin 2010. Vështirësia për të ardhur deri tek kjo dukuri, është tejet e madhe, por u shoqërua me një përfundim ashtu siç e dëshironin, të paktën për ato që e nisën këtë punë. Tashmë Shkëndia e Durrësit, ekipi i femrave, është një realitet në futbollin kombëtar.

Durrësit që i mungon basketbolli i femrave (me traditë në këtë drejtim), krejt befasisht godet në një angazhim gati gati të pabesueshëm. Shtatë ekipeve të mëparshme, i është bashkëngjitur edhe Shkëndia, duke e inkuadruar këtë qytet të dytin pas Tiranës.

Ekipet e tjera janë sipërmarrje private dhe aspak në rang bashkie, çka tregon se zhvillimet të paktën në Durrës mbeten vullnetare, i ushqyer nga pasioni dhe vullneti i pamatë i nismëtareve, duke shënuar fillimin e një tradite tejet të bukur, të mirëpritur dhe historike. Tani që ende nuk janë mbushur tamam dy vite, Durrësi përmëndet edhe në futbollin e femrave, duke nisur gjithçka nga e para.

Faqja e parë e traditës

Punët e letrave, më kanë njohur edhe me Jovan Bardhin. Ky është një specialist i afirmuar i lojërave në shkollën e mesme të mjeshtërisë sportive “Bernardina Qerraxhia”, por që është “përzier” edhe me futbollin. Ky 56 vjeçar, me energjinë ende të pakrisur si në rininë e hershme, veç dëshirës për të mbështetur nismën e një grupi vajzash të shkollës ku punon, po “përplaset” edhe me xhepin e tij. Nejse pak rradhë në fund të shkrimit, ia vlen të ndalemi edhe për këtë.

Me mbështetjen e FSHF-së dhe të nismave private, ishte tamam 2010-ta që u arrit më në fund të nisë edhe kampionati i parë i futbollit për femra. Asnjë gjurmë që të çon në këtë realitet, nuk janë vënë re më parë dhe kjo jo vetëm në Durrës. Disa vajza të vitit të parë, kur kalendarin e “komandonte” viti 2010, ia shfaqën dëshirën e tyre Jovan Bardhit dhe specialistit të futbollit Ardian Çako.

“Duam të krijohet edhe tek ne një ekip futbolli. Pasionin dhe dëshirën e kemi. Jemi gati të sakrifikojmë përsa na takon neve. Por kërkojmë mbështetje”. Këto janë fjalët, tregon Jovan Bardhi që na u thanë në këto fillime të topkëmbës durrsake. Janë për të mos u harruar dy fakte që janë të barabarta me dy mbështetje: si fillim drejtori i shkollës “Kristo Sotiri” u tregua entuziast dhe si vazhdim, Endri Hyka, i biri i futbollistit të njohur tiranas Skënder Hyka, që përgjigjet për futbollin e femrave në FSHF reagoi pozitivisht.

Vlera e Jovan Bardhit qëndron këtu: duke qenë promotor i zhvillimeve cilësore në sportin e volejbollit (duke arritur të dalë edhe kampion kombëtar për të reja), nisma për të bërë futboll fillon pikërisht nga volejbolli. Janë 60 nxënëse, të ndara në katër klasa të këtij lloj specialiteti, që e “çmendën” Jovan Bardhin, për ta ngritur me doemos ekipin e futbollit. Për të mos e lënë këtë version thjesht si dilemë, FSHF-ja nëpërmjet Endri Hykës dërgon me shumicë topa, uniforma, këpucë dhe veshje të tjera sportive në drejtim të Durrësit.

Të paktën në këtë pikë të ishin dyert e hapura. Fonde shkolla nuk ka, pasi flitet për një nismë të paplanifikuar, por të drejtë dhe të ligjshme në llojin e saj. Le t’ia fillojmë nga krijesat e para të futbollit në Durrës, që vlen të mos harrohet në kohë.

Vjeshta e vitit 2010, shënon krijimin e ekipit të Shkëndisë së Durrësit, që në mënyrën e organizimit është përfaqësuese tipike e interesave sportive të qytetit.

Nismëtaret e ngritjes së ekipit

Pa diskutim që e meriton të jetë e para Lubjana Hoda e moshës 24 vjeçare, me origjinë nga Dibra dhe që jeton në Sukth, ku pasionin për futbollin nuk e ndan nga ajo e këngës. Është mbështetësja kryesore e nismës dhe jetën e saj nga viti 2010 e ndan edhe me futbollin. Dhe emri i saj i përkthyer, është vërtet një dashuri dhe kënaqësi e madhe ndaj futbollit. Luba është më e “moshuara” i ekipit të Shkëndisë. Duke mbrojtur pasionin për futbollin, ajo mbron edhe portën e Shkëndisë.

Kur u krijua ekipi dëshira kurrë nuk u çmua materialisht, por vazhdimësia krijon dilema. Ka një zotim të vajzave që edhe kur të mbarojnë shkollën apo detyrime të tjera të qëndrojnë së bashku që Shkëndia e Durrrësit të mos e shuajë feksjen e saj verbuese. Për këtë ekip të ri me të ardhme, me vajza që konkurojnë me dëshirë dhe pasion në këtë sport deri para dy vitesh pronë të meshkujve, biznese dhe afaristë privatë duhet të nxitojnë të hedhin pjesë të investimeve të tyre

Dhe me rradhë vijnë më të voglat. I kërkova Jovanit të më njohë me të gjitha protagonistet, sepse ky shkrim vlen dukshëm edhe për historinë e këtij sporti. Dhe “Dyrrah” jep tjetër shembull, të arkivimit të njërës prej dukurive më spektakolare të zhvillimeve sportive në vitet e tranzicionit demokratik në Durrës. Lojtaret e tjera janë gati të panjohura, sepse edhe komentet që jepen për këtë lloj konkurimi, janë pa emra dhe mbiemra, duke ndikuar keq në mos propagandimin e tyre.

Dhe vijojmë me emrat dhe llagapet e tyre. Xhilda Xhymerti, është në klasën e tetë në shkollën “Naim Babameto” në Spitallë. Kapitene e skuadrës është vendosur pa asnjë kundërshtim Luçie Gjini. Dhe të mendosh se kjo kapitene është vetëm 17 vjeç, ndjen se çfarë të ardhme ka topkëmba e kësaj gjinie në Durrës. Është në vitin e katërt në shkollën e mesme sportive. Edhe kjo si Lubjana jeton në Sukth. Interesant edhe ky emër, sepse një përkthim e trajton atë si një dritë të parë të lindjes së futbollit. Është anëtare e ekipit kombëtar të futbollit.

Kur rrëmon në emrat e ekipit, e ndjen se prek një Shqipëri të tërë, pasi vajzat janë nga zona të ndryshme të vendit, por që në Durrës i bie të thurin ëndrrat më të bukura për futbollin. Mbrojtja e Shkëndisë së Durrësit përbëhet nga Esmeralda Liçi nga Cërriku, 15 vjeçarja Bleona Aliaj, Arjeta Koleci nga Manza dhe Shehe Gjepali e vitit të katërt nga fshati Pjezë i Xhafzotajt, tropojania që banon në komunën Rrashbull, Griselda Mehmetaj. Mesi i fushës është i “pushtuar” nga Nina Xhakola nga Kamza, Morena Adilaj me origjinë nga Berati e me shtëpi në plazhin e Durrësit dhe Alime Leka nga Vora.

Reparti i mësymjes i është besuar Elca Dedës nga Fushë Bulqiza, Ilmie Muçellit nga Saranda dhe Irma Xhafës nga Bulqiza. Ekipi përbëhet nga 24 vajza të qytetit, ku përjashtuar zemrës së ekipit që është tek shkolla, futbollistet e tjera janë nga shkolla 9-të vjeçare dhe të mesme, vajza me profesione të ndryshme që punojnë në biznese private etj.  Në këtë seri emrash nuk mund të anashkalosh edhe lojtaret Hygerta Dervishi, Xhovana Huqi, Paola Muhametaj, Vjola Luli, Kristina Hasa, binjaket Erta dhe Iris Jahja etj.

Ajo që vlen dhe që e gëzon 56 vjeçarin Bardhi, është dëshira e madhe e vajzave për ta lëvizur sferën sipas rregullave të lojës, të tregojnë grintë dhe karakter gare, të kapin hap pas hapi nivelin sportiv, për të krijuar përmasat e një ekipi jo vetëm pjesëmarrës, por edhe konkurues.

Suporti financiar në udhëkryq

Në këtë gëzim e kënaqësi të vajzave haset vështirësi në anën financiare. Jo se vajzat qahen dhe vënë kushte. Dëshirat dhe pasionet e tyre e tejkalojnë këtë. Por Jovan Bardhi dhe Adrian Çako me lekët e xhepit të tyre, bëjnë të mundur plotësimin e kalendarit të kampionatit. Kur u krijua ekipi dëshira kurrë nuk u çmua materialisht, por vazhdimësia krijon dilema.

Është prekës një fakt që përmend Jovani. “Ka një zotim të vajzave,- shprehet ai,- që edhe kur të mbarojnë shkollën apo detyrime të tjera të qëndrojnë së bashku që Shkëndia e Durrrësit të mos e shuajë feksjen e saj verbuese". Kampionati kombëtar nisi me 20 tetor dhe Shkëndia e Durrësit mundi thellësisht Dardaninë e Tiranës 5-0. Mobilizimi është në rritje.

Por për këtë ekip të ri me të ardhme, me vajza që konkurojnë me dëshirë dhe pasion në këtë sport deri para dy vitesh pronë të meshkujve, biznese dhe afaristë privatë duhet të nxitojnë të hedhin pjesë të investimeve të tyre. Jemi të bindur se nuk do të zhgënjehen. Edhe Bashkia, nisur nga dashamirësia e kryetarit Vangjush Dako pas sporteve, mund të tentojë të krijojë një fond për rritjen dhe zhvillimin e futbollit të femrave. Kjo do të përbëjë vërtet një mrekulli.

Këtij realiteti të ndezur, nuk i shkon ngjyra gri. Prandaj financimet janë ato, që ushqejnë si një gjenerator i fuqishëm një nga hopet më të mëdha të sporti durrsak: krijimin e futbollit të femrave.