Futbolli italian po përjeton një kohë shumë të vështirë. Koronavirusi ka ndalur gjithë jetën në vendin fqinj dhe nuk kishte sesi të bënte përjashtim as futbolli. Drejtuesit e Federatës Italiane nuk e shohin aspak të përshtatshme që ndeshjet të luhen pa tifozë dhe ky vendim ka sjellë shtyrjen e një sërë ndeshjesh në Kupën e Italisë dhe kampionat.
E fundit ishte një gjysmëfinale e Kupës mes Juventusit dhe Milanit. Kjo ndeshje u shty për të vendosur një tjetër datë dhe të njëjtin fat do të ketë edhe sfida tjetër e kësaj faze të kompeticionit të dytë për nga rëndësia përtej Adriatikut. Napoli-Inter është programuar të luhet ditën e nesërme, duke nisur nga ora 20:45, por me shumë mundësi nuk do të ndodhë kështu. Koronavirusi Covid-19 po vazhdon të përhapet e të marrë jetë dhe njerëzit janë të frikësuar.
Qeveria ka shpallur gjendjen e alarmit në pjesën më të madhe të veriut të Italisë dhe futbolli është gjëja e fundit për të cilën mund të mendohet. Kjo sfidë pritet të shtyhet dhe të zhvillohet në një moment të dytë, megjithëse ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.





