E mbani mend se kur janë bërë për herë të fundit në Shqipëri kontrolle antidopingu në futboll? Agjencia Botërore e Antidopingut (WADA) ka urdhëruar zhvillimin e 20 kontrolleve antidoping në vitin 2012 dhe që prej asaj kohe në futbollin shqiptar rezulton një informalitet i theksuar.
Nëse duam të ecim në nivelin e kampionateve elitare, sigurisht që duhen plotësuar disa standarde që, për fat të keq, në vendin tonë është e pamundur që për momentin të bëhen realitet. Pa paragjykuar realitetin e futbollit shqiptar, askush nuk mund të flasë me siguri se në klubet tona nuk dopohen lojtarë.
Megjithatë, rasti i vitit 2012, të paktën nuk la një njollë në këtë aspekt. Kujtojmë që nga 12 teste të realizuara në tri ndeshje të Kategorisë Superiore, të gjitha rezultuan negative. Kontrolli u zhvillua në muajt nëntor dhe dhjetor të 2012-ës, teksa u mbulua financiarisht nga Federata Shqiptare e Futbollit. Në ndeshjet Tirana-Besa, Kastrioti-Teuta dhe Besa-Flamurtari u kontrolluan 12 lojtarë.
Në fazën e parë u përzgjodhën nga 2 lojtarë për çdo skuadër. Analizat, kostoja e të cilave ishte rreth 2500 euro, u bënë në qendrën olimpike të Athinës “Spiros Louis” (OAKA), pikërisht në arenën ku u mbajtën Lojërat Olimpike “Athinë 2004”.





